Argjentinasit u çmendën plotësisht, fanellat me stemën e re u shitën për pak minuta

Federata e Futbollit të Argjentinës ka prezantuar një fanellë të re pas fitimit të Botërorit të Katarit, dhe fakti që ajo u shit brenda pak minutash, vërteton se sa të çmendur ishin tifozët e kësaj përzgjedhjeje.

Argjentinasit ndryshuan fanellën dhe logon pas fitores së Kupës së Botës në Katar. Stema e re e kombëtares së futbollit tashmë është zbukuruar me një yll të tretë për nder të titullit të kampionit të tretë botëror.

Shoqata bëri të ditur se më 26 dhjetor, fanella do të dalë në faqen zyrtare të Adidas-it, madje marka e njohur gjermane nuk e priste që të gjitha fanellat të shiten brenda pak minutash.

Fanella u shpall për herë të parë menjëherë pasi skuadra e Amerikës së Jugut mposhti Francën në finalen e Kupës së Botës, por ajo doli në shitje vetëm dje.

“Në këtë fazë fillestare, grupi i parë i fanellave në dispozicion është shitur. Stoku do të rimbushet gjatë javës dhe ditëve në vijim, duke intensifikuar disponueshmërinë e tij gjatë janarit dhe shkurtit,” tha Adidas në një deklaratë zyrtare.

Kontigjenti i ri i fanellave do të jetë i disponueshëm për blerje që nesër në faqen e internetit të Adidas Argentina. Nuk ka dyshim se të gjitha fanellat do të shiten edhe këtë herë.

Argjentina u bë vetëm vendi i katërt në histori që fitoi tre ose më shumë tituj të Kupës së Botës. Përpara janë vetëm Italia dhe Gjermania, me nga katër tituj dhe Brazili, rekordmeni, me pesë tituj kampion bote.

Kategoritë
Sport