Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë pasurohet me dokumente të periudhës osmane

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë (DPA), Ardit Bido, shprehet se bashkëpunimi me institucionet arkivore turke ka qenë i shkëlqyer, ndërkohë ai vlerëson edhe ndihmën e Türkiye-s për dhurimin e dokumenteve të periudhës osmane.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë është pasuruar vitet e fundit me dokumente të shumta të periudhës osmane, të dhuruara nga institucionet arkivore turke. Duke përfshirë edhe dokumentet që dispononte Arkivi Qendror Shtetëror aktualisht ky arkiv disponon një total prej 2 milionë e 100 mijë dokumente të periudhës osmane, në format origjinal dhe digjital.

Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë është pasuruar së fundi me mbi 1 milion dokumente të përftuara në formë digjitale të dhuruara nga Arkivi i Periudhës Osmane me qendër në Istanbul, dokumente që mbulojnë veprimtarinë politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë Shtetit Osman.

Gjithashtu, edhe në vitet 2015 dhe 2020, Arkivi Osman i ka dhuruar Shqipërisë 5 mijë dhe 350 mijë fletë dokumente të periudhës osmane, me tamatika të ndryshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë (DPA), Ardit Bido, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) shprehet se bashkëpunimi me institucionet arkivore turke ka qenë i shkëlqyer, ndërkohë ai vlerëson edhe ndihmën e Türkiye-s për dhurimin e dokumenteve të periudhës osmane, por edhe mbështetjen për punën e institucionit që ai drejton.

Bido shprehet se duke qenë se në arkivin e Istanbulit ruhet dokumentacioni mbi Shqipërinë dhe shqiptarët për periudhën osmane, sipas tij, rrjedhimisht është interes i drejtpërdrejtë i arkivit shqiptar për të pasur sa më shumë bashkëpunime.

Në lidhje me dokumentet e ardhura në formë digjitale që u prezantuan në fillim të shtatorit 2022, Bido thotë se “Është dora e dytë e dokumentacionit që vjen pas 350 mijë dokumentesh që kanë ardhur dy vite më herët. Bëhet fjalë për tërësinë e dokumenteve historike mbi Shqipërinë dhe shqiptarët jo vetëm në katër vilajetet, por edhe më gjerë në territorin e Ballkanit në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalësh”, tha ai.

Sipas tij, marrëveshja kishte si bazë shkëmbimin e dokumentacionit osman në formë digjitale që gjendet në arkivin shqiptar me atë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që gjendet në arkivin osman.

Në lidhje me rëndësinë e dhurimit të këtyre dokumenteve, ai thotë se e sjellë dokumentacionin më afër studiuesve, sjellë mundësinë që studiuesi mos të ketë nevojë të shkojë deri në Istanbul për këtë dokumentacion, por të mundet të studiojë historinë kombëtare duke ardhur në sallat e studimit që ka Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Bido thekson se janë 750 mijë dokumente të periudhës osmane të cilat janë në origjinal në arkivin shqiptar dhe ato janë të digjitalizuar dhe të aksesueshme lehtësisht nga studiuesit. “Tashmë do të jetë dhe kjo sasia tjetër duke arritur në një nivel prej 2 milionë e 100 mijë dokumenteve në total mbi periudhën osmane në Shqipëri”, theksoi Bido.

Bido tregon se marrëveshja e bashkëpunimit ka qenë me ndihmën e TIKA-s që mundësoi sipas tij pjesën e parë të digjitalizimit të dokumentacionit të periudhës osmane që gjendej në arkivin shqiptar.

“Kemi pasur mundësinë që dokumentacioni të skanohet me kostot e mbuluara nga TIKA dhe nga ana tjetër kemi pasur mundësinë që pa kosto të marrim pjesën tjetër të dokumentacionit. Kjo ka qenë në atë periudhë diçka shumë e vyer dhe në momentin që ka ardhur ajo ndihmë ka qenë një frymëmarrje për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që mundësoi pastaj edhe këtë që kemi sot”, tha ai.

Bido në fund thekson se janë në diskutime dhe shpresojnë për të marrë dy fonde të tjera arkivore që gjenden në arkivat turke, sipas tij, arkivin kadastral mbi Shqipërinë dhe shqiptarët për efekt historik dhe censusin e popullsisë të vitit 1905 që gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme turke në Ankara.

Dokumentet e periudhës osmane që ka tashmë Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë përfshijnë tematika në lidhje me personalitetet e ndryshme të jetës politike, fetare dhe letrare, vendime dhe dekorime të personaliteteve, evidenca mbi mësimin e shqipes në disa qytete, informacione mbi qytetet shqiptare, dokumente mbi zhvillimet në jetën fetare në rajon.

Sipas studiuesve dhe historianëve të arkivit, dokumenti më i vjetër i periudhës osmane që ruhet në arkivin e shtetit shqiptar është regjistri sanxhaku i shqiptarit i vitit 1431 ndërsa si vepër më e vjetër është një Kuran i shekullit të 14-të ose 15-të.

Kategoritë
LajmeRajoni