Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një shitje të re armësh për Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite me një vlerë totale prej 2.25 miliardë dollarësh, njoftoi Pentagon-i të premten.
Në deklarata të ndara, Pentagon-i tha se Departamenti i Shtetit ka miratuar një shitje të mundshme prej 220 raketash taktike AIM-9X Block II Sidewinder dhe pajisje të tjera të lidhura, me një vlerë prej 251.8 milionë dollarësh.
Gjithashtu, SHBA ka miratuar një shitje të mundshme prej 2,503 raketash AGM-114R3 Hellfire II dhe mbështetje logjistike të tjera, të vlerësuara në 655 milionë dollarë.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Arabisë Saudite për t’u përballur me kërcënimet e tanishme dhe të ardhshme, si dhe do të përmirësojë ndërveprimin me sistemet që përdorin forcat amerikane dhe vendet e tjera të Gjirit. Investimet e vazhdueshme të Arabisë Saudite në aftësitë e saj mbrojtëse janë thelbësore për mbrojtjen e kufijve të saj, infrastrukturës energjetike dhe popullsisë,” thuhet në deklaratën e Pentagon-it.
Gjithashtu, Pentagon-i më herët këtë javë konfirmoi se shefi i Pentagon-it, Lloyd Austin, gjatë një bisede me ministrin saudit të mbrojtjes, princin Khalid bin Salman, ka konfirmuar përkushtimin e SHBA për mbrojtjen e Mbretërisë dhe e falënderoi atë për përpjekjet e Riadit në promovimin e paqes në Lindjen e Mesme.
Veçmas, Pentagon-i njoftoi miratimin për një shitje të mundshme prej 259 sistemeve të raketave të drejtuara për lëshim të shumëfishtë (GMLRS) M31A1 Unitary Pods, të cilat përfshijnë 1,554 raketa. Në këtë marrëveshje me vlerë 1.2 miliardë dollarë janë përfshirë gjithashtu 203 raketa Army Tactical Missile Systems (ATACMS) M57 Unitary Missiles.