Arrestohen dy mjekë në Gjilan, dyshohet se morën ryshfet për një operim

Policia e Kosovës ka arrestuar dy mjekë në Gjilan, nën dyshimin se të njëjtit kanë marrë ryshfet për një ndërhyrje kirurgjike.

Mjeku kirurg dyshohet se ka marrë 330 euro dhe ka kërkuar edhe 200 shtesë për ta kryer ndërhyrjen ndërsa mjeku anesteziolog po ashtu dyshohet se ka kërkuar 100 euro.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar.

Të dyshuarve me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar paraburgim prej 48 orësh.

Kategoritë
LajmeVendi