Një aksion i suksesshëm i Policisë së Kosovës të premten në mbrëmje ka rezultuar me arrestimin e pesë persona nën dyshimet për “Krim të organizuar” dhe përgatitje të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Pas arrestimeve të Qëndrim Elshanit, Adrian Gashit dhe Mentor e Leon Dreshaj, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe pesë persona tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal të Demë Elshani.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës (PSRK), mbrëmë me datë 21.02.2025, kanë realizuar operacioni policor për arrestimin e ‘Grupit të Organizuar Kriminal’ të cilët kishin planifikuar dhe ndërmarr veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje’ dhe dhe ‘Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm’ ndaj dy viktimave në Pejë”.
“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. të cilët me vendim të prokurorit nga PSRK janë ndaluar për 48 orë”.
“Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm. Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lendes narkotike, telefona celular si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”.