Arrestohet boksieri malazez për kontrabandën e 20 tonëve kokainë

Ish-boksieri malazez Goran Gogiç (43) u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën dyshimin se kishte kontrabanduar 20 tonë kokainë gjatë viteve të mëparshme.

Gogic, i cili në karrierën e tij profesionale nga viti 2001 deri në vitin 2012 regjistroi 21 fitore në 27 luftime në kategorinë e peshave të rënda, u arrestua në aeroportin e Majamit kur u përpoq të hipte në një fluturim për në Cyrih.

Sipas publikimit në faqen e Ministrisë së Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai akuzohet për kontrabandë të 19.930 kilogramëve kokainë, vlera e së cilës në tregun e zi është më shumë se një miliard dollarë.

Nga maji 2018 deri në korrik 2019, Gogić dhe të tjerët shpërndanë sasi të mëdha kokaine përmes anijeve komerciale të mallrave.

Gogić ishte kreu i operacionit dhe ishte i lidhur me prodhuesit e kokainës në Kolumbi, anëtarët e ekuipazhit që transportonin drogë dhe punëtorët e portit që transportonin dhe shkarkonin kokainën në Evropë.

Gjatë vitit 2019, policia amerikane ka bërë tre sekuestrime të mëdha kokaine – më 27 shkurt rreth 1437 kilogramë të fshehura në anijen “MSC Carlotta” në portin e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, më 18 mars 537 kilogramë në anijen “MSC Desiree”. në portin e Filadelfias dhe më 19 qershor rreth 17.956 kilogramë në anijen “MSC Gayane” në portin e Filadelfias.

Sekuestrimi i asaj kokaine, me vlerë mbi një miliard dollarë, ishte një nga më të mëdhenjtë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Avokati i Gogic, Lawrence Hashish tha se klienti i tij është i pafajshëm.

“Kjo aktakuzë e befasoi atë. Ai është i pafajshëm dhe mbërriti në SHBA për një konventë boksi të mbajtur në Porto Riko,” tha Hashish.

Nëse shpallet fajtor, Gogić përballet me një dënim minimal prej 10 vjetësh deri në burgim të përjetshëm.

Kategoritë
LajmeRajoniSport