Arrestohet drejtori i “Visametric”, prokuroria e ndalon për 48 orë

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar drejtorin turk të “Visametric”.

Në një njoftim për media, Prokuroria ka bërë me dije se i njëjti është ndaluar nën dyshimin për veprën penale “mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.

Rasti ka të bëj me 30 eurot që ky operator po ia merrte qytetarëve, veprim ky që ishte ndaluar me një vendim të gjykatës, mirëpo që të njëjtin nuk e kishte respektuar “Visametric”.

Njoftimi i plotë nga prokuroria:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.

Kategoritë
LajmeVendi