Arrestohet i dyshuari për kontrabandë me emigrantë

Në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, Policia sot e ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale kontrabandë me emigrantë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se “sot më, 19.08.2021 rreth orës 05:15 në fshatin Shupkovc-Mitrovicë, gjatë realizimit të një pike kontrolli të veturave nga zyrtarë policorë të Njësisë së Trafikut Regjional të Mitrovicës së Jugut është ndaluar një autobus me targa vendore dhe me drejtues E. H., mashkull kosovar”.

“Gjatë kontrollimit të autobusit është vërejtur se në autobus gjenden 61 (gjashtëdhjetë e një) shtetas të huaj (në mesin e tyre 2 të mitur), me origjinë nga Siria, Irani dhe Iraku. Në lidhje me këtë rast janë njoftuar zyrtarët policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit të Policisë Kufitare në Prishtinë të cilët janë marrë me trajtimin e këtij rasti”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi

Më tej Policia njofton se sipas deklaratës së të dyshimtit të lartcekur, i njëjti këta shtetas të huaj i ka marrë në Prizren dhe ka pas për qëllim t’i dërgojë deri në stacion të autobusëve në Mitrovicë. Në lidhje me këtë rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me urdhër të tij i dyshimti i lartcekur është arrestuar dhe ndaj të njëjtit është iniciuar rasti ‘kontrabanda me emigrantë’. Ndërsa shtetasit e huaj janë trajtuar nga Njësia për Migrim.

Pas intervistimit të të dyshuarit në praninë e avokatit të tij mbrojtës, i njëjti me urdhër të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, thuhet në njoftim.

Kategoritë
LajmeVendi