Në Ukrainë është arrestuar kryepsikiatri ushtarak, i cili akuzohet se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme një milion dollarë që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022.
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një psikiatër që ishte anëtar i komisionit që vendoste se kush është apo nuk është i gatshëm për shërbim ushtarak. Identiteti i të arrestuarit nuk është bërë i njohur, por dihet se Oleh Druz është kryepsikiatri i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Është bërë e ditur gjithashtu se i arrestuari posedon tre apartamente (një në Kiev, një pranë Kievit dhe një në Odesa), dy parcela toke dhe disa makina luksoze BMW. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur 152,000 dollarë dhe 34,000 euro në para të gatshme.
Është raportuar se ai nuk ka deklaruar pasuritë që janë regjistruar në emrin e gruas, vajzës, djemve dhe personave të tjerë të tretë. Nëse provohet se është pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe ka dhënë deklarata të rreme, ai mund të përballet me 10 vite burg.
Druz ishte përfshirë në një rast të ngjashëm në vitin 2017, kur nuk deklaroi dy automjete terreni dhe disa prona, pas çka u pezullua. Ukraina prej kohësh lufton kundër korrupsionit endemik.
Një deputet ukrainas u akuzua në maj të vitit të kaluar për përvetësim të 273,000 dollarëve, ndërsa më shumë se 30 zyrtarë ushtarakë u akuzuan për marrje ryshfeti dhe kontrabandë njerëzish gjatë vitit 2023, pas çka u shkarkuan.
Parlamenti gjithashtu vitin e kaluar mbështeti shfuqizimin e komisioneve mjekësore ushtarake, pasi disa persona u akuzuan për marrje ryshfeti në këmbim të përjashtimit nga shërbimi ushtarak, raporton BBC.