Arrestohet nënkryetari i Forumit Rinor të LDK-së

Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Florent Ukaj dhe vëllai i tij, Faton Ukaj, janë arrestuar të dielën në fshatin Serbicë e Ulët e Prizrenit.

Ata dyshohen për përfshirje në një përleshje fizike, ka raportuar sot portali Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy Florenti dhe Fatoni, djemtë e ish-deputetit, Xhavit Ukaj, janë ndaluar pasi dyshohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

Rrahja dyshohet se ka ndodhur gjatë një ndeshje të futbollit në këtë fshat, ku përveç vëllezërve Ukaj, në rast është i përfshirë edhe një person tjetër, po ashtu nga familja Ukaj.

Për motive ende të panjohura, ata dyshohet se janë rrahur me dy persona të tjerë, të cilëve iu kanë shkaktuar lëndime trupore, si pasojë e sulmit fizik. Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Policia e Kosovës, ku pasi njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, teksa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas të njëjtave burime, ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe pritet dorëzimi i kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Ndryshe, Florent Ukaj është edhe nënkryetar i forumit rinor të LDK-së në Prizren.

Kategoritë
LajmeVendi