Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën një person në pikën kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë, nën dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Siç raportojnë mediat lokale në Kosovë, i arrestuari D.R. dyshohet për krime lufte gjatë periudhës 7-10 maj 1999 në Komunën e Gjakovës.

Sipas policisë, i dyshuari kishte vepruar në grup të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP).

I dyshuari është shoqëruar në Policinë e Kosovës, ku është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës. Prokurori Special e ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë.

Për këtë arrestim ka reaguar edhe partia serbe në Kosovë, Lista Serbe, që është ankuar se, sipas saj, personi 75-vjeçar ka qenë duke u kthyer në Kosovë për të zgjatur afatin e dokumenteve.

“D… është familjar në dekadën e tetë të jetës së tij, që, sipas djalit të vet, kurrë s’ka qenë i përfshirë në ndonjë formacion gjatë konfliktit dhe është aktualisht seriozisht i sëmurë dhe me demencë, për çka familja e tij frikësohet për kushtet psikofizike”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi