Arsenijeviq: Putin i pafuqishëm, nuk mund të dërgojë më as dy litra karburant në Serbi

Lideri i Iniciativës Qytetare ‘Mbijetesa serbe’ në veri të Mitrovicës, Aleksandar Arsenijeviq, nuk beson se lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë do të ndikojë në destabilizim të Ballkanit, pasi konsideron se “presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të dërgojë më as dy litra karburant në Serbi”.

Arsenijeviq gjatë një interviste për KosovaPress, ka folur edhe për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të cilën e ka quajtur të pasinqertë dhe me plot gënjeshtra, sidomos ndaj serbëve të Kosovës. Ndërkohë që për kryeministrin Albin Kurti, tha se ka qëndrim të fortë nacionalist.

“Unë mendoj se politika të cilën po e udhëheqë Aleksandar Vuçiq fare nuk është e sinqertë dhe as reale, para së gjithash ndaj neve serbëve këtu, prandaj kemi veprime të tilla të panikut tek qytetarët, përkatësisht lëkundje të madhe të ndërgjegjësimit, gënjeshtrat që pas dhjetë vitesh ndaj qytetarëve në Kosovë, duke filluar nga fitorja 5:0 dhe deri tek të gjitha të tjerat, ndërsa tash në fund shohim se arrijnë dokumente dhe kjo do të thotë bukfalisht se i ka ardhur fatura në kafene për të gjitha ato që ka ngrënë në Bruksel përgjatë këtyre  dhjetë viteve. Ne nuk jemi ithtarë dhe mbështetës të marrëveshjeve të Brukselit sepse e para nuk janë transparente, e dyta, asnjë qytetar nuk është i udhëzuar në këto marrëveshje, kështu që çdo marrëveshje e Brukselit përveç propagandës e cila deri tash ishte prezente përmes Listës serbe në Kosovë, çdo shkronjë rreth këtyre marrëveshjeve, na ka lënë gjurmë pas shpinës. Sa i përket qeverisë Kurti, ai ka një qëndrim të fortë nacionalist”, tha ai.

Profesori i kimisë i cili u suspendua nga puna për shkak të bindjeve të tij politike, luftën në Ukrainë e ka quajtur si gjënë më shkatërruese të shekullit 21 dhe civilizimit modern. Derisa ka folur edhe për mundësinë e ndikimit të Rusisë në destabilitetin ose jo të Ballkanit.

Sipas tij, Putin tashmë është krejtësisht i pafuqishëm dhe nuk ka mundësi “të dërgojë  më as dy litra karburant në Serbi”.

“Si një ortodoks, mund të them se si njëra palë ashtu edhe pala tjetër janë vëllezërit tanë, kështu edhe e përjetojmë, dhe mendoj se kjo luftë është gjëja më shkatërruese për shekullin 21 dhe civilizimin modern… Putini nuk mund të dërgojë më as dy litra karburant në Serbi, e jo më të jetë ndonjë faktor destabilizues. Është fakt se Republika e Serbisë është e rrethuar me shtetet e NATO-s dhe nuk jemi në vitet 1999, 1998 dhe as në vitin 1992. E përmenda qëllimisht vitin 1998 sepse ky ishte momenti kur tek ne serbët e veriut Albin Kurti pati inkurajuar njëfarë uniteti, për shkak se deklarata e tij e parë politike ishte për mundësinë e një lufte dhe se Kosova është më e përgatitur sesa më 1988, dhe ky diskurs të cilin e ka përsëritur disa herë në të ardhmen, do të thotë se qytetarit të rëndomtë i jep mundësinë e një retorike luftarake, të mendojë se ndodhet midis dy zjarreve dhe që mundet lehtë të ndizet gjithçka”, ka thënë Arsenijeviq.

Në lidhje me skadimin e afatit për konvertimin e targave, ai beson se nuk do të përsëriten skenat e korrikut dhe nuk do të ndodhë diçka e formës së organizuar nga ana e qytetarëve.

Ai ka përmendur  presionin ndërkombëtarë për shtyrjen e këtij afati, që siç tha ai, do të ndodhë, dhe të gjitha palët do të jenë të kënaqura, ndërsa pranoi se qytetarët në fund duhet t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa të Republikës së Kosovës.

“Kësaj radhe konsideroj se asgjë e ngjashme me situatat e korrikut nuk do të ndodhë dhe gjithçka do të varet nga profesionalizmi i veprimeve të Njësiteve Speciale të policisë së Kosovës të cilat momentalisht ndodhen në veri… Zyrtarët evropianë vazhdojnë presionin e tyre për vazhdimin e afatit që do të thotë se për shkak të ngjarjeve të tilla, vazhdimi i afatit do të pranohet nga ana e Albin Kurtit si vendim qëllimmirë, që shtetet e Quintit do ta pranonin po ashtu mirë, dhe në fund mendoj se të gjithë qytetarët do të duhet t’i regjistrojnë automjetet e tyre”, theksoi Arsenijeviq.

Lideri opozitar ka sqaruar  kuptimin e emrit ‘Mbijetesa serbe’ duke thënë se ndonëse mund të kujtojë diskurs të keq tek disa komunitete, ka edhe një kuptim tjetër që përfshinë spektër më të gjerë.  Arsenijeviq bëri të ditur se koncepti politik i iniciativës të cilën e udhëheqë ai ka për bazë përmirësimin e cilësisë së jetës të secilit qytetar.

Sa i përket shprehjes së qëndrimit politik opozitar në veri të Mitrovicës, ai tha se është jashtëzakonisht e vështirë dhe me presione të ndryshme, ku për shkak të përkatësisë politike qytetarët humbasin punën, kontaktet me njerëz, miqtë, etj.

I pyetur për arrestime, sulme, kërcënime ndaj tij dhe familjes dhe të ngjashme, ai nuk dha detaje, por tha se ka përjetuar të gjitha nga këto.

Përkundër të gjitha këtyre, Arsenijeviq u shpreh i bindur se nuk do të zmbrapset në rrugën drejt progresit të ideve të tyre.

“Thënë shkurt është përmirësimi i cilësisë së jetës të secilit qytetar. Kur themi ‘Mbijetesa serbe, ndoshta tek disa komunitete kujton ndonjë diskurs të keq, por përgjithësisht ky emër është shkëputur nga seriali ‘Mbijetesa e kafshëve’, ku në të njëjtin trung të përmbytur jetojnë dhelpra dhe derri i egër. Kështu që ky emër ka një kuptim më të gjerë sesa thjesht vetëm ‘Mbijetesa serbe’… Se a është vështirë, sigurisht që po, vështirë është. Tashmë janë vendosur disa parime të presioneve të cilat vijnë edhe nga qytetarët e rëndomtë nga frika për sigurinë dhe veprimtarinë tonë… Në asnjë shoqëri demokratike nuk është normale që në bazë të përkatësisë politike ju humbisni punën, kontaktet me njerëz, vërehet edhe distanicimi i disa miqve të vjetër nga unë dhe lajmërimi i tyre diskret nëpër rrugë dhe ngjashëm, mirëpo kjo nuk është aspak zhgënjyese për ne sepse ne shikojmë nga ana tjetër filozofike, ngase miqtë e tillë nuk kanë qenë të nevojshëm kurrë në jetë…  Ka pasur gjithçka, nuk duhet të bazohemi në këto për shkak se dhunuesi dëshiron pikërisht të shoh frikë tek njeriu të cilin e dhunon, ndërsa tek ne nuk do të shoh frikë asnjëherë. Kështu që nuk kam frikë dhe as që do të frikohem ndonjëherë, dhe se asgjë ngjashëm me këto nuk mund ta pengojë rrugën tonë drejt progresit të ideve tona”, potencoi Arsenijeviq.

 

Kategoritë
BotaLajme