Artistët vullnetarë të rrugës përpiqen të lehtësojnë traumën e fëmijëve të prekur nga tërmeti

Anëtarët e grupit, të cilët vizitojnë qytetet e tendave një e nga një, organizojnë lojëra dhe shfaqje të ndryshme animacioni, ngjyrosje të fytyrave, kërcime me këngë, si dhe përpiqen të lehtësojnë traumën e fëmijëve të prekur nga tërmeti.

Fëmijët e prekur nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş të cilët qëndrojnë në qytetet e tendave në Hatay po përpiqen të tejkalojnë traumën e tërmetit me aktivitetet e artistëve vullnetarë të rrugës, raporton Anadolu.

Anëtarët e Atelisë së Arteve Rrugore të Izmirit, Erdal Çoban, Enes Şahin, Esra Akkuzu dhe Hani Sincar, që janë në mesin e ekipeve vullnetare që kanë ardhur në rajon pas tërmeteve që prekën 10 provinca në Türkiyen jugore, në ditët e para morën pjesë në punimet e kërkim-shpëtimit në rajonin Antakya të qytetit Hatay.

Më pas, anëtarët e grupit kaluan në veprim edhe për fëmijët e prekur nga tërmeti dhe aktualisht po zhvillojnë aktivitete në qytetet e tendave të ngritura në rajon nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Anëtarët e grupit, të cilët vizitojnë qytetet e tendave një e nga një, organizojnë lojëra dhe shfaqje të ndryshme animacioni, ngjyrosje të fytyrave, kërcime me këngë, si dhe përpiqen të lehtësojnë traumën e fëmijëve të prekur nga tërmeti.

– “Buzëqeshjet e fëmijëve janë shumë të vlefshme për ne”

Erdal Çoban, drejtori i përgjithshëm artistik i Atelisë së Rrugës, për Anadolu tha se pas tërmetit kaluan në veprim me sloganin “Bëjini fëmijët të qeshin”.

Çoban theksoi se pas ardhjes në qytet fillimisht morën pjesë në punimet e kërkim-shpëtimit dhe dhanë mbështetje për shpëtimin e katër personave, ndërsa më pas kaluan në veprim për fëmijët që qëndrojnë në qytetet e tendave.

Ai tha se fëmijët janë më të prekurit fizikisht dhe psikologjikisht nga tërmeti.

“Me sa mundemi përpiqemi që të lehtësojmë traumën që fëmijët kanë përjetuar. Përpiqemi t‘i bëjmë që të harrojnë sado pak tërmetin dhe t‘i largojmë nga rëndesa e ngjarjes. Këndojmë dhe organizojmë lojëra me ata”, tha Çoban.

Më tej, ai tha se beson që këto ditë të vështira do të tejkalohen me frymën e bamirësisë dhe solidaritet të popullit turk. Ai shtoi se pas qytetit Hatay do të vizitojnë edhe vendet e tjera të tendave të ngritura në qytetet e tjera të prekura nga tërmeti.

Duke bërë të ditur se fëmijëve u dhurojnë edhe lodra, tullumbace dhe çokollata, Çoban tha se, “Të njëjtën detyrë kemi kryer edhe në tërmetet e ndodhura në Elazığ dhe Izmir. Buzëqeshjet e fëmijëve janë shumë të vlefshme për ne. Mendojmë se arti mund të bëhet edhe në hapësira të hapura dhe jo vetëm mes katër muresh. Për këtë arsye ne rendim atje ku ka fatkeqësi dhe ku fëmijët ndodhen në situatë të vështirë në çdo zonë të vendit”.

Kategoritë
BotaLajme