“As rusët s’po e bëjnë këtë”, serbët vendosin postere të Putinit në Beograd për ditëlindjen e tij

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dje festoi ditëlindjen e tij të 70-të në një izolim thuajse të plotë nga bota.

Urimet e vetme që i pranoi nga jashtë ishte një nga diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, derisa dhuratë një traktor ia bëri lideri tjetër autoritar, presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko.

Megjithatë, urimet s’i mori vetëm nga këto vende. Një poster i tij u shfaq në një shtet ballkanik që thotë se synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, raporton Gazeta Express.

Në Beograd të Serbisë u vendos billbordi i Putinit me mbishkrimin: “Gëzuar ditëlindjen Presidentit Vladimir Putin nga vëllezërit serbë!”

Posterët janë nënshkruar nga një grup pro-rus i krahut të djathtë.

Shfaqja e tyre tërhoqi vëmendjen edhe të mediave të huaja.

“Putini mbetet popullor në Serbi pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës dhe shumë në vendin ballkanik besojnë se presidenti rus u provokua nga Perëndimi për të nisur pushtimin”, shkruan AP, derisa raporton për këtë ngjarje.

Për këtë pati edhe reagime në mediat sociale.

Gazetarja Una Hajdari tha se derisa mendohet që imazhi i Serbisë ka rënë përtoke në aspektin e politikës së jashtme – vjen edhe një befasi nga Beogradi.

“Ah Serbi. Kur mendoni se politika e jashtme e vendit tashmë ka rënë krejt në fund dhe imazhi i saj nuk mund të njolloset më shumë, në Beograd shfaqen billborde që urojnë Putinin për ditëlindjen e tij të 70-të”

Këtë postim të saj e ka shpërndarë edhe në profilin e saj në Twitter, Amie Ferris-Rotman.

“As rusët nuk janë duke e bërë këtë”, ka shkruar ajo.

Kategoritë
LajmeRajoni