Asgjë nga fjalimi i Dodikut në Kuvendin e Serbisë, Vuçiç tha se seanca do të shtyhet

Aleksandar Vuçiç ftoi sonte Milorad Dodikun që të mos vijë në Kuvendin Popullor të Serbisë më 15 mars, kur më parë ishte paralajmëruar se do të mbante një fjalim lidhur me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.

“E dinin që për 14, 15 dhe 16 mars kishim paralajmëruar një seancë për Republikën Srpska, ku deputetëve do t’u drejtohej edhe presidenti i Republikës Srpska, dhe vendosën të mblidhen pikërisht më 15 mars para parlamentit republikan,” tha Vuçiç.

Duke qenë mysafir në Dnevnik 2 të RTS-it, Vuçiç tha se “pleniumet dhe tubimet nuk shqetësohen aspak që për atë datë ishte planifikuar seanca me Dodikun”. Ai njoftoi gjithashtu se seanca e parashikuar për 14, 15 dhe 16 mars do të shtyhet.

“Unë i kërkoj falje presidentit të Republikës Srpska. Do t’i kërkoj nesër që ta caktojmë fjalimin e tij në një ditë tjetër në Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë. E dinin që kishim planifikuar këtë me presidentin e Republikës Srpska për 14, 15 dhe 16 mars. Dhe nuk i shqetësonte, prapë u mblodhën para Kuvendit Popullor, ndoshta për të bërë presion ndaj presidentit të Republikës Srpska dhe ndaj gjithë Kuvendit. Sepse nuk u intereson fare. Vendosën pleniumet, tubimet dhe çfarëdo budallallëqesh të tjera që na duhet t’i dëgjojmë,” tha Vuçiç për RTS.

I pyetur të komentojë deklaratat nga Uashingtoni se Dodik po minon stabilitetin e institucioneve në nivel shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës, Vuçiç tha se nuk pajtohet me një vlerësim të tillë.

“Do të bisedoj dhe do të bëj gjithçka që mundem për të folur me përfaqësuesit amerikanë dhe për t’u paraqitur atyre argumente të ndryshme. Sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ishte në Sarajevë, kam folur me të së fundmi, më 19 mars do të shkoj në Bruksel për të biseduar me të, dhe më 24 mars do të shkoj në Bruksel për të biseduar me Antonio Kostën dhe Ursula von der Leyen, nëse nuk gaboj. Mos më merrni fjalë për fjalë, plus ose minus një ditë,” tha Vuçiç.

Kategoritë
LajmeRajoni