Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur të hënë konferencë për media në të cilën ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare, dhe Banesave në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati ka thënë se procesi i regjistrimit është duke shkuar sipas planifikimeve.
Ai ka thënë se ASK është duke pasur sfide me komunitetin serb në disa pjesë të vendit.
“Kemi angazhuar regjistruesit, mbikëqyrësit dhe procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë herët. Aktualisht i kemi 98 për qind të mbikëqyrësve që kemi paraparë, 90 për qind e regjistruesve janë aktiv. Aktualisht kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë jo në gjithë Kosovës, dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë supozohet që ditëve në vijim do të angazhohen edhe ata. Pajisjet janë adekuate dhe shumë funksionale e kemi kaluar një pengesë teknike, sistemi është duke funksionuar nuk kemi pasur asnjë telashe sa i përket sistemit. Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, të gjitha komunitet janë duke marrë pjesë në regjistrim pa anashkaluar asnjë komunitet. Kemi edhe institucione të tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit”, ka thënë ai.
Kastrati ka shtuar se ka shkuar vet dje në pjesën veriore dhe është takuar me përfaqësues të komunitetit serbe jo me listën serbe.
“Unë vete isha dje ne pjesën veriore dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb jo me listën serbe, ka një gadishmëri të popullsia që të regjistrohen. Për ASK-në janë të gjitha institucionet e përfshira, ne kemi angazhuar edhe profesorin Baraliu”, ka thënë ai.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, i pyetur në lidhje me thirrjet e Listës Serbe, që serbët ta bojkotojnë këtë proces ka thënë se, kjo është çështje ligjore që duhet të merren organet tjera duke përfshirë edhe KQZ-në.
“Është një thirrje publike nga një subjekt politik, kjo është një çështje ligjore dhe ka procedurë. Është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të marrë hapat e duhura. Dëm është për secilin individ dhe komunitet që nuk merr pjesë sepse buxheti për secilën komunë vendoset në bazë të qytetarëve”, ka thënë ai.
Burim Limolli shef i IT-së në ASK, ka thënë se deri dje kanë përfunduar 7643 intervista dhe të gjitha etnitetet janë të përfshira.
“Deri dje kanë qenë 7643 intervista të përfunduara. Gjitha etnitet janë duke marrë pjesë. Gjithçka është nën kontroll nga sistemi i IT. Kemi kërkuar që dy intervista të bëhen në ditë, që ti kemi nën kontrollë. Sistemi është me të gjitha gjuhët zyrtare të Kosovës. Sa i përket sigurisë të gjitha tableta janë të pajisura me SIM kartela 4g. Të dhënat janë të enkriptuara”, ka thënë ai.