Associated Press shkarkoi gazetarin për raportimin e gabuar rreth incidentit të raketës në Poloni

Gazertari James LaPorta dha informacion gjatë raportimit në të cilin sugjeronte në mënyrë të pasaktë se Rusia kreu sulmin me raketa në Poloni.

Associated Press shkarkoi një nga gazetarët e saj hulumtues për raportimin e informacionit të rremë rreth raketës që ra në pjesën lindore të Polonisë në mes të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

James LaPorta, 32 vjeç, u pushua nga puna pas një hetimi të shkurtër lidhur me raportin që ai paraqiti duke thënë se dy persona ishin vrarë kur “raketat ruse” ranë në Poloni, anëtare e NATO-s, dhe goditën një zonë pranë kufirit me Ukrainën, njoftoi Daily Beast.

Deklaratat zyrtare më vonë sqaruan se Moska, sipas të gjitha gjasave, nuk qëndron pas incidentit dhe se raketa, ndonëse e prodhimit rus, ndoshta është gjuajtur nga forcat e mbrojtjes kundërajrore të Ukrainës.

Rrëfimi i LaPorta-s i atribuohet informacionit të një “zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane” pavarësisht rregullit të agjencisë së lajmeve që “kërkon në mënyrë rutinore më shumë se një burim kur burimi është anonim”, theksohet në faqen e internetit të agjencisë amerikane të lajmeve.

Në përgjigje të incidentit, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se nuk kishte kryer sulme brenda 35 kilometrave nga kufiri polak.

Nga ana tjetër, presidenti polak Andrzej Duda deklaroi se ka të ngjarë që të ishte aksident dhe se raketa mund të mos jetë ruse.

Kategoritë
BotaLajme