Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), po planifikon që deri në fund të vitit të inkasojë 596 milionë euro. Përderisa për periudhën janar-tetor të vitit 2021 të hyrat kanë shënuar shifrën e 512.5 milionë euro, e që tejkalojnë projeksionet e planifikuara, duke shënuar rritje për 31.3 për qind.
Kështu ka thënë drejtori i Administratës së Kosovës, Ilir Murtezaj në një intervistë për Ekonomia Online, i cili tregon se gjatë kësaj periudhe kohore, kanë arritur të tejkalojnë edhe planin e të hyrave me mbi 40 milionë euro, apo 8.5 për qind.
“Për periudhën janar-tetor 2021 Administrata Tatimore e Kosovës, ka arritur të grumbullojë 512.5 milionë euro, shumë kjo e cila nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është mbi 122 milionë euro më tepër sesa periudha e njëjtë në vitin 2020, apo shprehur në përqindje 31.3% më tepër. Meqenëse viti 2020 ka qenë vit pandemikë atëherë realisht krahasimi nuk mund të jetë shumë real, andaj në raport me vitin 2019 kur ka qenë si vit parapandemik, atëherë të dhënat tregojnë që kemi mbi 80 milionë euro të hyra të realizuara më tepër sesa periudha e njëjtë e vitit 2019, apo shprehur në përqindje 18.53%”.
“Edhe në raport me planin Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur gjatë kësaj periudhe që të tejkalojë planin e të hyrave për mbi 40 milionë euro, apo shprehur në përqindje mbi 8.5%”.
“Bazuar në buxhetin e rishikuar të vendit, Administrata Tatimore e Kosovës, është e obliguar që të mbledhë 556 milionë euro, shumë kjo e cila gjithsesi do të tejkalohet dhe pritjet tona janë që deri në fund të vitit të kemi 590 milionë euro të kemi të hyra të inkasuar”, është shprehur Murtezaj.
Tutje, ai ka treguar se 9 mijë e 986 punëtorë kanë përfituar nga masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike nga pandemia.
“Në kuadër të Pakos së fundit të Ringjalljes Ekonomike janë paraparë 5 masa dhe në kuadër të këtyre masave, masa 1 ka të bëjë me punësimin dhe ne si institucion dihet që kemi qenë të autorizuar që për masën 1.1,1.2 dhe 1.3 të krijojmë platformën digjitale për t’i dhënë mundësi bizneseve dhe punëtorëve të aplikojnë për përfitim nga këto masa dhe si rezultat 9986 punëtorë kanë përfituar nga këto tri masa”.
Derisa për luftimin e informalitetit, drejtori Murtezaj ka thënë se përkundër sfidave të shumta, ATK-ja në vazhdimësi zhvillon aktivitete, duke lansuar edhe një projekt në drejtim të punëtorëve të paformalizuar.
E saktësisht nuk dihet numri tyre, derisa ai thotë se ka ngritje të numrit të tyre si rezultat i Pakos Emergjente Fiskale.
“Administrata Tatimore e Kosovës, përveç objektivit kyç që ka mbledhjen e të hyrave, një ndër objektivat e tjera është edhe luftimi i informalitetit, në këtë rast që duke luftuar informalitetin përveç rritjes së të hyrave që do të ndodhin për buxhetin e shtetit, peshë të madhe ka edhe në aspektin edhe të stabilizimit të konkurrencës së barabartë në treg. ATK-ja gjatë këtyre ditëve ka lansuar projektin e ri në drejtim të punëtorëve të paformalizuar”.
Gjatë inspektimeve, Administrata Tatimore e Kosovës, ka arritur të identifikojë 2 764 punëtorë të cilët kanë qenë të paformalizuar, raporton EO.
“Saktësisht ne nuk e dimë statistikën se sa është ai numër, realisht ka ngritje të punëtorit të formalizuar, si rezultat i pakove, dhe Pakos Emergjente Siskale, pastaj edhe kësaj së fundmi dhe është arritur që një numër i punëtorëve të formalizohen, por nëse i referohemi statistikave zyrtare të ATK-së, periudhën shtator 2021 në raport me shtatorin e 2020-ës zoton që mbi 22 mijë punëtorë janë më tepër sesa periudha e njëjtë e vitit 2020. Gjatë inspektimeve tona në terren kemi arritur që në periudhën janar-shtator 2021 të identifikojmë diku 2746 punëtorë të cilët ka qenë të paformalizuar dhe si rezultat i inspektimeve tona në terren janë formalizuar”.
“Po, thuajse në shumicën e sektorëve ka punëtorë të paformailuzar por më të shprehur janë në sektorin e gastronomisë dhe ndërtimtarisë”.
Por njohësi i çështjeve të Ekonomisë, Mustafë Kardriaj, mbushjen e buxhetit të shtetit nga importi po e konsideron si të dëmshme për ekonominë vendëse.
Ai për Ekonomia Online, ka thënë se ekonomia e Kosovës është duke u ngulfatur nga importi, njëjtë siç kanë vepruar Qeveritë e kaluara.
“Çdo ekonomi edhe ajo e Kosovës, e sidomos ne jemi duke u ngulfatur nga importi dhe qëllimi i çdo qeverie, poashtu edhe kjo qeveri ka ardhur me ato pretendime se do t’i forcon prodhimin vendor dhe nëse edhe kjo Qeveri e ka fokusin te dogana dhe importi, atëherë është si Qeveritë e tjera dhe këtë mënyrë të qeverisjes nuk e ka dashur qytetari”.
“Qytetari ka pritur krejt një lloj qeverisje ndryshe, ashtu siç ka pretenduar edhe vet kryeministri Albin Kurti”, u shpreh ai
Për fund, ai ka thënë se kjo Qeveri do të duhej të ishte e fokusuar në prodhimin vendës.