Takimet e drejtpërdrejta me përfaqësuesit e bizneseve dhe drejtuesit e tyre, janë takime të cilat nxjerrin më së miri në pah vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë.
Një takim i tillë është mbajtur sot, ku drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj ka qenë i ftuar nga kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi.
Në këtë takim mes tjerash u ngritën shqetësimet e tyre rreth çështjeve si ajo e njohjes së humbjes te bizneset me aktivitete specifike, te të cilat është vështirë të kalkulohen humbja.
Bizneset vlerësuan lart punën e ATK-së, avancimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, digjitalizimin, të cilat sipas tyre në masë të madhe e lehtësojnë dhe kursejnë kohën.
Murtezaj gjatë bashkëbisedimit me bizneset ka potencuar se ATK-ja çdo tematikë të ngritur nga ana e tyre do të trajtohen në detaje, por çdoherë brenda përgjegjësive të saj.
Ai gjithashtu nënvizoi se ATK-ja është në proces të punës për të ngritur edhe më tej shërbimet ndaj tatimpaguesve, me të vetmin qëllim, që sa më shumë të rritet përmbushja vullnetare nga ana e bizneseve.
Palët u pajtuan që takime të ngjashme të mbahen edhe në të ardhmen, kurdo që tatimpaguesit apo komuniteti i biznesit e konsiderojnë të nevojshme për të marrë sqarime për çështjet mbi zbatimin e legjislacionit tatimor, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, thuhet në komunikatën për media të ATK-së.