ATK mbledh edhe 1 milion euro të tjera borxhe tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se Departamenti i Mbledhjes së Detyrueshme ka vazhduar me aktivitete të intensifikuara për mbledhjen e borxheve.

“Aktiviteti i masave të sforcuara është i dyti me radhë brenda pak ditëve, ku dje me datë 31 maj 2022 janë ndërmarrë veprime tek 22 subjekte biznesore, të cilët kishin obligim ndaj ATK-së 2.9 milionë euro”, thuhet në një njoftim të ATK-së.

“Veprimet e mbledhësve tatimorë kanë rezultuar të suksesshme duke u kryer pagesat e menjëhershme të mbi 1 milion eurove nga ana e bizneseve borxhlinj. Për deri sa pjesa tjetër do të vazhdoj të trajtohet duke i paguar borxhet përmes marrëveshjeve me këste. Aktivitetet në fjalë janë zhvilluar në Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë e Veriut, Kaçanik, si dhe në Gllogoc”.

Menaxhmenti i ATK-së thekson se është i vendosur që të punojë me përkushtim në zvogëlimin e stokut të borxheve. ATK-ja kërkon nga të gjithë tatimpaguesit që të vizitojnë zyrat e Departamentit të Mbledhjes së Detyrueshme në mënyrë që të njoftohen me mundësitë ligjore që mund t’i shfrytëzojnë për kryerjen e obligimeve që ata kanë.

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi