Qeveria e re austriake urdhëroi sot ndalimin e menjëhershëm të bashkimit familjar për azilkërkuesit, në përpjekje për të frenuar shqetësimin e madh të publikut në lidhje me imigracionin, i cili po rrit mbështetjen për të djathtën ekstreme.
Duke iu referuar dispozitave emergjente të BE-së që lidhen me sigurinë kombëtare, koalicioni trepalësh i qeverisë shpalli se po pezullon përkohësisht të gjitha të drejtat për anëtarët e familjeve të personave që kanë marrë azil në Austri.
Kapacitetet e tejkaluara
“Kapaciteti i Austrisë dhe i sistemit të saj për të pranuar njerëz ka kufij,” thuhet në deklaratën e qeverisë së drejtuar nga kancelari Christian Stocker nga Partia Popullore Austriake (ÖVP).
“Për shkak të fluksit të madh të njerëzve, këto sisteme tashmë janë në kapacitet të plotë ose e kanë tejkaluar atë.”
Kritikët: Vendimi shkel të drejtat e njeriut
Kritikët e konsiderojnë këtë vendim si një shkelje të të drejtave të njeriut.
“Nuk është një shenjë e mirë kur një mandat fillon me një shkelje të qartë të ligjeve ndërkombëtare përkatëse,” tha Shura Hashemi, drejtuesja e Amnesty International në Austri.