Austria në prag të një krize politike: Dështuan negociatat për formimin e qeverisë mes të djathtës dhe konservatorëve

Lideri i së djathtës austriake, Herbert Kickl, njoftoi se nuk ka arritur të arrijë një marrëveshje me Partinë Popullore Austriake (ÖVP), duke e futur kështu vendin në një krizë të re politike.

Pas javësh negociatash dhe përpjekjesh për të ndryshuar qëndrimet mbi shpërndarjen e ministrive mes partive, lideri i Partisë së Lirisë së Austrisë (FPÖ), Kickl, deklaroi se nuk ka arritur të sigurojë një marrëveshje.

“Para se të qartësoheshin pikat e diskutueshme në nivelin e negociatorëve kryesorë, Partia Popullore insistoi në fillim të shkurtit që të qartësohej shpërndarja e resorëve. Më 4 shkurt, ne paraqitëm një draft të përshtatshëm. Megjithëse në bisedimet e mëvonshme kemi bërë shumë lëshime për Partinë Popullore, fatkeqësisht, negociatat në fund nuk patën sukses,” deklaroi Kickl.

Për këtë arsye, Kickl tha se ka informuar presidentin federal për pamundësinë e formimit të qeverisë.

“Këtë hap e marr me keqardhje. Nuk i shohim negociatat me Partinë Socialdemokrate (SPÖ) si produktive. Bisedimet paraprake me Andreas Babler (liderin e SPÖ) treguan jo vetëm se kemi qëndrime shumë të ndryshme mbi çështje kyçe, por edhe se SPÖ në thelb ka një qëndrim negativ ndaj çdo bashkëpunimi me ne. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga zgjedhjet. Austria nuk ka kohë për të humbur,” theksoi Kickl.

Sipas njoftimeve, oferta e fundit e FPÖ për partnerët e tyre përfshinte shpërndarjen e mëposhtme të ministrive. FPÖ kërkoi gjashtë pozicione:

  • Kancelari i Austrisë
  • Zyra për media dhe dixhitalizim
  • Ministria e financave
  • Ministria e punëve të brendshme
  • Ministria e punës dhe integrimit
  • Ministria e sportit dhe turizmit

Nga ana tjetër, ÖVP do të merrte shtatë pozicione:

  • Ministria e punëve të jashtme
  • Ministria e transportit
  • Ministria e ekonomisë dhe energjisë
  • Ministria e bujqësisë
  • Ministria e mbrojtjes
  • Ministria e politikës sociale, rinisë dhe familjes
  • Ministria e kulturës dhe arteve

Dështimi i negociatave u komentua edhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Popullore, Alexander Pröll.

“Ne kemi punuar intensivisht gjatë javëve të fundit për të formuar një qeveri të qendrës së djathtë për Austrinë. Qëllimi ishte të rrisim prosperitetin për qytetarët dhe të mundësojmë rritjen ekonomike, të sigurojmë stabilitetin dhe të ndalojmë migracionin ilegal – për shembull, duke ndaluar kërkesat për azil. Kjo qeveri nuk u realizua për shkak të qëndrimit të Herbert Kickl-it,” deklaroi ai.

Kategoritë
BotaLajme