Autoblinda turke u kujdes për sigurinë e liderëve botërorë në Samitin G20 në Indonezi

Yörük 4X4, në kuadrin e masave të sigurisë të marra për Samitin G20, u përdor nga njësia e operacioneve speciale dhe taktike të policisë indoneziane.

Automjeti i blinduar Yörük 4X4, produkt i industrisë turke të mbrojtjes, u përdor për masat e sigurisë të marra në kuadër të Samitit të Liderëve G20 në Indonezi, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti i Liderëve G20 i kryesuar nga Indonezia, u mbajt në gadishullin Nusa Dua në jug të ishullit Bali me temën “Të shërohemi së bashku, të shërohemi më të fortë”.

Në rajonin ku u mbajt samiti u morën masa sigurie të nivelit të lartë për shkak të takimit të liderëve. Automjeti i blinduar tokësor Yörük 4X4 i industrisë turke të mbrojtjes, i prodhuar nga Nurol Makina dhe i cili përgatitet të përfshihet në inventarin e forcave të sigurisë indoneziane, detyrën e parë të tij e kreu në këtë samit.

Yörük 4X4, në kuadrin e masave të sigurisë të marra për Samitin G20, u përdor nga njësia e operacioneve speciale dhe taktike të policisë indoneziane, e njohur edhe si Brimob.

Brimob, e cila ndërmerr detyra me rrezikshmëri të lartë, pajiset me mjete dhe pajisje të avancuara për të ndihmuar në kapërcimin e këtyre rreziqeve. Në këtë drejtim, pritet që në një kohë të afërt në shërbim të Brimob-it të vendosen automjetet Yörük 4X4, të cilët tërheqin vëmendjen me shpejtësinë e lartë dhe mbrojtjen superiore që ofrojnë në krahasim me automjetet e tjera të segmentit të tij.

– Yörük 4×4 po testohet prej disa kohësh në Indonezi

Një automjet Yörük 4X4 i dërguar në Indonezi në muajin qershor, është testuar nga forcat e sigurisë së vendit gjatë kësaj periudhe të kaluar. Yörük 4X4 është përdorur gjithashtu edhe në demonstrimin e kryer nga forcat e sigurisë indoneziane në Indo Defence Expo&Forum 2022, i cili u mbajt këtë muaj në Xhakarta.

Në kuadër të panairit, kompania Nurol Makina nënshkroi tekstin e marrëveshjes me PT Jala, e cila operon në fushën e industrisë së mbrojtjes në Indonezi. Përmes transferimit të teknologjisë, planifikohet që Yörük 4X4 të prodhohet në mënyrë të përbashkët në Indonezi.

– Shumë misione në mjedise konflikti me intensitet të lartë

I prodhuar për përdorimin e forcave të policisë dhe njësive ushtarake, Yörük 4X4 u premton përdoruesve të tij lëvizshmëri dhe performancë mbrojtëse në nivelin më të lartë në klasën e automjeteve të blinduara të lehta. Automjeti është i ndryshueshëm sipas kërkesave të përdoruesit dhe siguron mbrojtje balistike dhe ndaj shpërthyesve të dorës/minave në nivel të lartë.

Falë dizajnit modular, Yörük 4X4 mund të ndërmarrë role në mjedise konflikti me intensitet të lartë si automjet transportues për personelin, mbrojtës ajror dhe mjet zbulues.

Automjeti mund të mbajë ngarkesa të rënda në lëvizje me një shpejtësi maksimale prej 140 km në orë, mund të pajiset me sisteme armësh si mitralozë 7,62 dhe 12,7 mm, bombahedhës 40 mm, si dhe armë ajrore dhe anti-tank.

Yörük 4X4, me peshë 8 tonë, ka kapacitet të lartë për të mbajtur ngarkesë të dobishme dhe mund të transportojë deri në 11 persona.

I ekspozuar për herë të parë në IDEF 2017, Yörük 4X4 tërhoqi vëmendjen e shumë vendeve dhe mori porosi teksa ndodhej ende në fazën e projektimit.

Për Yörük 4X4, kompania Nurol Makina nënshkroi marrëveshje me katër vende në pozita gjeografike të ndryshme, njëra prej të cilave është Evropa.

Kategoritë
BotaLajme