Autokolonat e ndihmave vazhdojnë të kalojnë në Gaza në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit

Marrëveshja e armëpushimit mandaton hyrjen ditore të 600 kamionëve me ndihma në Gaza dhe planifikon një kuadër me faza për negociatat e mëtejshme midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit

Autokolonat e ndihmave humanitare vazhdojnë të kalojnë në Rripin e Gazës përmes pikës kufitare Kerem Shalom derisa riparimet po zhvillohen në anën palestineze të pikës kufitare Rafah, raporton Anadolu.

Kalimi kufitar pësoi dëme të konsiderueshme gjatë luftës gjenocidale izraelite 15-mukore të mbështetur nga SHBA-ja, e cila përfundoi me një armëpushim të dielën e kaluar.

Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe SHBA-ja, parashikonin që kalimi të rihapet në ditën e shtatë të zbatimit të marrëveshjes, që planifikohet këtë të shtunë.

Guvernatori i Sinait të Veriut, gjeneralmajor Khaled Mogahed, inspektoi kalimin kufitar Rafah.

“Kalimi kufitar Rafah do të hapet nga të dyja anët në ditët në vijim, duke mundësuar qasje më të madhe të ndihmës”, tha Mogahed për mediat lokale.

Marrëveshja e armëpushimit gjithashtu mandaton hyrjen ditore të 600 kamionëve me ndihma në Gaza dhe planifikon një kuadër me faza për negociatat e mëtejshme midis grupit palestinez Hamas dhe Izraelit.

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj enklavës palestineze për 18 vite, duke e lënë këtë rajon në kushte të rënda humanitare, me mungesa kritike të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.

Që nga 24 maji, ndihmat kanë hyrë kryesisht në Gaza përmes vendkalimit Kerem Shalom pasi forcat izraelite morën kontrollin e kalimit kufitar Rafah, duke dëmtuar pjesë të kalimit dhe duke i vënë flakën gjatë operacioneve. Riparimet aktuale synojnë të mundësojnë rihapjen e vendkalimit dhe sigurimin e qasjes më të qetë humanitare.

Armëpushimi në vazhdim, aktualisht në fazën e parë 42-ditore, përshin shkëmbimin e të burgosurve dhe negociatat e mëtejshme për fazat që do të pasojnë.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 47 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 110.700 të tjerë janë plagosur në luftën e Izraelit në Gaza.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavën palestineze gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kategoritë
BotaLajme