Ministria e Transportit e Malit të Zi ka urdhëruar më 7 prill Inspektoratin e Rrugëve që të hetojë rastin e vendosjes së një shenje rrugore në Plavë, ku qyteti i Pejës, që ndodhet në Kosovë, ishte shënuar si pjesë e Serbisë, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga kjo ministri.
Shenja u hoq më 6 prill, por nuk dihet saktësisht kur ishte vendosur.
Ministria nuk ka dhënë përgjigje se kush dhe kur ka urdhëruar vendosjen dhe më pas heqjen e shenjës kontestuese në vendbanimin Murinë, që i përket Komunës së Plavës, në veri të Malit të Zi, afër kufirit malazezo-kosovar.
“Drejtoria e Transportit është përgjegjëse për vendosjen e sinjalizimit rrugor përgjatë rrugëve magjistrale dhe rajonale. Ministria është në dijeni për rastin në fjalë dhe kemi urdhëruar Inspektoratin që të dalë në terren dhe të veprojë në përputhje me gjendjen faktike dhe ligjin”.
Fotografia me këtë shenjë rrugore u shpërnda të dielën në rrjetet sociale. Të njëjtën e ndau edhe artistja nga Plava, Kaltrina Hoti.
Në një video përballë shenjës, Hoti shihet bisedon me punëtorët e kompanisë që, siç dëgjohet, e kishin vendosur tabelën.
“Është urdhëruar nga Podgorica, nga Drejtoria e Transportit. Unë jam vetëm punëtor dhe vendos shenjat sipas dokumentacionit që marr”, tha njëri nga punëtorët, duke treguar një letër që nuk shihet qartë në video.
Kur Hoti përsëriti se udhëzimet për vendosjen e shenjës kishin ardhur nga Ministria malazeze, punëtori e pohoi këtë.
Në kamionin që shihej në video ishte i shkruar emri i kompanisë “Signal”.
Kjo kompani, me seli në Sombor të Serbisë, sipas faqes zyrtare të internetit, është e specializuar për prodhimin dhe vendosjen e sinjalizimit rrugor.
Ata nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se kush i kishte angazhuar.
Nga komuna fqinje e Rozhajës i thanë REL-it se, ndryshe nga disa pretendime në rrjete sociale, nuk ka pasur përpjekje për vendosjen e tabelave të ngjashme në atë qytet.
Sipas Ligjit për sigurinë e komunikacionit, për vendosjen e sinjalizimit rrugor është përgjegjëse Drejtoria e Transportit me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
REL-i i ka drejtuar pyetje MPB-së se kush e ka urdhëruar prodhimin dhe vendosjen e tabelës, përmbajtja e së cilës bie ndesh me njohjen e shtetit të Kosovës nga Mali i Zi, por nuk ka marrë përgjigje.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të territorit të saj. Në krye të Ministrisë së Transportit të Malit të Zi është një përfaqësuese e Frontit Demokratik (DF), parti që gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Pas reagimeve të ashpra, tabela u hoq
Se tabela kontestuese është hequr nga Drejtoria e Transportit, e konfirmoi kryetari i Plavës, Nihad Canoviq.
Ai u distancua nga i gjithë rasti, duke thënë se pushteti lokal nuk ka pasur asnjë rol në vendosjen e tabelës.
“Pasi u njoftova për këtë, kontaktova me përfaqësuesit e Drejtorisë së Transportit, të cilëve u tregova për lëshimin dhe problemin që ka shkaktuar vendosja e saj. Banorët e Plavës kanë qenë gjithmonë njerëz të paqes, respektit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore – kjo nuk ndryshon”, shkroi Canoviq.
Heqjen e tabelës e konfirmoi edhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, duke reaguar ndaj shumë postimeve në rrjetin X, kryesisht nga Kosova.
Ai nuk u përgjigj thirrjeve të REL-it.