Autoriteti Turk i Konkurrencës gjobit kompaninë Meta Platforms me mbi 18 milionë dollarë

Autoriteti mbikëqyrës turk thotë se Meta Platforms pengoi konkurrentët në reklamimin e videove në internet dhe krijoi pengesa për hyrjen në treg.

Autoriteti Turk i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë mëmë të Facebook-ut, Meta Platforms, për shkelje të ligjit të konkurrencës.

Autoriteti mbikëqyrës turk ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 346,72 milionë lirash turke apo rreth 18,63 milionë dollarë.

Autoriteti Turk i Konkurrencës përmes një deklarate njoftoi se kompania Meta Platforms, duke kombinuar të dhënat e mbledhura përmes shërbimeve të saj kryesore si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, pengoi konkurrentët në reklamimin e videove në internet dhe krijoi pengesa për hyrjen në treg.

Dënimi u shqiptua në përputhje me të ardhurat vjetore të kompanisë Meta Platforms për vitin 2021.

Një zëdhënës i kompanisë Meta Platforms tha se kompania nuk pajtohet me dënimin.

“Ne mbrojmë privatësinë e përdoruesve tanë dhe u ofrojmë njerëzve transparencë dhe kontroll mbi të dhënat e tyre. Ne do të shqyrtojmë të gjitha opsionet tona”, tha zëdhënësi në një deklaratë të shkurtër.

Kompania mund ta apelojë vendimin brenda 60 ditëve.

Kategoritë
BotaLajme