Avokati i deputetes së VV’së: Befasues dënimi, ajo s’e ka obligim të japë dorëheqje

Urim Vokshi, avokat i deputetes së VV-së, Jetmire Vrenezi, tha në Frontal të T7 se janë befasuar nga vendimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, me të cilin klientja e tij u dënua me tri vjet burgim dhe dy mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte inspektore e ndërtimit në Komunën e Prizrenit.

“Vendimi ka qenë me të vërtetë befasues për ne si mbrojtës të zonjës Vrenezi dhe nuk është se është ndonjë kënaqësi të flasim për këto raste, por megjithatë ndjejmë obligim ta sqarojmë për opinionin publik edhe versionin e mbrojtjes”, tha fillimisht ai.

Vokshi tha se ka biseduar me deputeten Vrenezi, por jo për dorëheqje. Ai tha se dorëheqjen nuk ia obligon vendimi i sotëm i gjykatës.

“Unë nuk kam biseduar për këtë. Nga aspketi juridik nuk ka obligim të tillë pasi vendimi nuk është i plotfuqishëm, nuk prodhon pasoja juridike”, tha avokati.

Ai tregoi edhe se si e pranoi deputetja Vrenezi aktgjykimin e gjykatës.

“Nuk e ka pritur mirë. Ka qenë jashtëzakonisht e shqetësuar prej një vendimi të tillë”, tha Vokshi.

Nga përmbajtja e aktakuzës dhe provave që janë shqyrtuar gjatë gjykimit, sipas avokatit “nuk është vërtetuar në asnjë formë se ajo ka kryer vepër penale”.

Vokshi shpreson që Gjykata e Apelit ta rrëzojë aktgjykimin themelor.

Kategoritë
LajmeVendi