Gjatë seancës së sotme në Tribunalin Special, avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka thënë se Prokurori po mbështetët te dëshmitari Nazim Bllaca, i cili “ka vdekur“.
Sipas asaj që tha sot avokati Ben Emmerson, Nazim Bllaca, i vetëdeklaruar si agjent i SHIK-ut, ka vdekur.
“Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, që është Nazim Bllaca, që ka vdekur. Ka informacione që në vitin 2019 që ishte një aset serb, i paguar nga Serbia”, ka thënë Emmerson.
Nazim Bllaca ishte vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Ai ishte bërë veçanërisht i njohur në vitin 2009, kur publikisht, para mediave, kishte deklaruar se kishte kryer vrasje për llogari të kësaj organizate. Ky deklarim i tij kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.
Për shumë vite, vendndodhja e Nazim Bllacës, për të cilin është folur shumë se ishte edhe agjent i BIA-s serbe, mbetet e panjohur. Vëllai i tij, për një media vendase kishte deklaruar se Bllaca qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sipas tij, kishte marrë edhe lejen e përhershme të qëndrimit.