Avokati i Thaçit: ZPS-së do t’i dorëzojmë dokumente të krimeve serbe

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, deklaroi të mërkurën, se do t’i dorëzojnë Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS) disa dokumente rreth krimeve serbe në Kosovë.

Ai deklaroi se me ZPS-në kanë rënë dakord në disa fakte të grumbulluara, por që dokumentet që do t’ia dorëzojnë, sipas tij do të luajnë rol në procesin gjyqësor.

“Kemi ndërmend t’i dorëzojmë disa propozime ZPS-së për krimet që janë kryer nga serbët kundër popullatës shqiptare, që janë shumë në numër. Krime e vrasjeve ndaj shqiptarëve. Kjo do të na shkurtojë shumë kohë”, deklaroi Kehoe.

Në konferencën e së mërkurës, palët mbrojtëse të Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, thanë se ZPS-ja duhet të ndajë materiale shfajësuese për shqyrtim, pasi sipas tyre, një pjesë e tyre mund të jenë të falsifikuara.

Avokati i Veselit, Benedict Emmerson, deklaroi i ka pranuar katër dokumente të ZPS-së, që mbetet të shqyrtohen, derisa shtoi se shtatori i këtij viti mund të jetë periudha kur mund të diskutohet mbi to.

Kategoritë
LajmeVendi