“Shpresoj që ky të jetë fillimi i rrugëtimit të topit të borës. Dy urdhër-arrestet për Netanyahun dhe Gallantin nuk janë fundi, por fillimi i shumë të tjerave që do të vijnë”, tha avokati Raji Sourani
Avokati palestinez për të drejtat e njeriut, Raji Sourani thotë se urdhër-arrestet e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për liderët izraelitë shënojnë një ndryshim thelbësor në adresimin e veprimeve gjenocidale të Izraelit kundër palestinezëve, duke hapur një “epokë të re” përgjegjësie.
Duke folur për Anadolu, Sourani, i cili është themelues i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut në Gaza, thotë se veprimi i GJNP-së kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, të cilët tani kërkohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është vendim që shënon “një pikë referimi” dhe që sinjalizon fundin e mosndëshkimit prej dekadash për Izraelin.
“Ne po shkojmë në një epokë të re ku Izraeli do të jetë shumë i vetëdijshëm për çdo pasojë në të ardhmen”, tha ai, duke shtuar: “Ne jemi ende duke parë gjenocidin, vrasjet masive, zhvendosjen masive, urinë masive dhe bllokadën në Gaza, por përfundimisht, pavarësisht nëse Izraelit i pëlqen apo jo, kjo do të funksionojë si një top bore dhe asnjë fuqi në tokë nuk do ta ndalojë”.
“Izraeli do të mbahet përgjegjës, jo moralisht, por ligjërisht. Vendimet e gjykatës nuk i japin fund kolonializmit dhe racizmit, nuk i japin fund gjenocidit, por ato janë baza për këtë”, theksoi Sourani.
Ai bëri thirrje për veprime konkrete nga shtetet për të ushtruar presion ndaj Izraelit, siç janë ndalimi i dërgesave të armëve, ndërprerja e mbështetjes ekonomike dhe ndalimi i tregtisë.
Sourani përkujtoi komunitetin ndërkombëtar për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se prania e vazhdueshme e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme dhe duhet të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Shpresoj që komuniteti ndërkombëtar të zgjohet dhe t’i ndihmojë palestinezët për ta bërë këtë”, tha Sourani, i cili ka shpenzuar vite duke përpiluar padi rreth bllokadës së Izraelit në Gaza, duke paraqitur dhjetëra raste në GJNP që nga viti 2015 kur Autoriteti Palestinez ratifikoi Statutin e Romës.
“Sa jetë duhet të humbasim? Sa duhet të vuajë populli palestinez derisa ne të arrijmë të sjellim një vendim të tillë? Është mirë, por është shumë vonë dhe e kemi paguar shtrenjtë dhe rëndë. Nëse do të kishte përgjegjësi në kohë, gjenocidi nuk mund të kishte ndodhur nga Izraeli”, theksoi ai.
– “Shpresoj që ky të jetë fillimi i rrugëtimit të topit të borës”
Sourani theksoi nevojën për përgjegjësi më të gjerë, duke i kërkuar GJNP-së të hetojë dhe të akuzojë zyrtarë shtesë izraelitë, përfshirë komandantët e lartë ushtarakë dhe përfaqësues nga Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare në Territoret (COGAT).
“Shpresoj që ky të jetë fillimi i rrugëtimit të topit të borës. Dy urdhër-arrestet për Netanyahun dhe Gallantin nuk janë fundi, por fillimi i shumë të tjerave që do të vijnë”, tha ai, duke shtuar: “Përndryshe, Gaza do të jetë vendi ku është varrosur e drejta ndërkombëtare”.
Duke kritikuar ashpër SHBA-në për mbështetjen e palëkundur të Izraelit, pavarësisht krimeve të tij të luftës në Gaza, Sourani theksoi se kjo është një “turp i madh”.
Teksa shumë vende kanë mbështetur një armëpushim, vetoja e SHBA-së ka paralizuar përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund gjenocidit, vuri në dukje ai. “Kjo e bën sistemin politik ndërkombëtar të paralizuar dhe joefektiv”, tha Sourani.
Ky është një problem madhor në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në OKB, që duhet korrigjuar në një të ardhme të parashikueshme, shtoi ai, duke paralajmëruar se dështimi do të çonte në një “thirrje reale për sundimin e xhunglës, jo sundimin e ligjit, që nuk është në interes të askujt”.
Sourani kundërshtoi komentet që vijnë nga Franca, përfshirë ministrin e Jashtëm, Jean-Noel Barrot, i cili sugjeroi që Netanyahu ka imunitet sepse Izraeli nuk është palë në GJNP, një pretendim i hedhur poshtë nga ekspertët ligjorë.
“Unë mendoj se ky është një turp shumë i madh. Ky është një mosrespekt total për gjykatën”, tha ai.
Avokati palestinez vuri në dukje deklaratën e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, se vendimi i GJNP-së është ligjërisht i detyrueshëm dhe jo një akt politik, duke shpresuar që kjo qartësi ligjore do të hapte rrugën për veprime më të forta kundër Izraelit dhe liderëve të tij.