Azerbajxhanasit refuzojnë të largohen nga Kahramanmaraş-i, qëndrojnë për të ndihmuar

“Shumicën e arritjeve të mia ia kam borxh këtij qyteti dhe njerëzve të tij, kështu që ndjeva se duhej të isha këtu dhe u ktheva nga Ankaraja”, tha Elkhan Gurbanli

Universiteti “Sütçü Imam” në Kahramanmaraş, qyteti që ishte epiqendër e tërmeteve të fuqishme të javës së kaluar që shkaktuan vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, është edhe institucioni ku kanë studiuar dhe ligjëruar dhjetëra studentë dhe pedagogë nga Azerbajxhani.

Një prej tyre është edhe Elkhan Gurbanli. Ai u largua nga Azerbajxhani për programin e tij të diplomimit në vitin 2015 dhe më vonë përfundoi masterin, pasuar nga një program doktorature. Pasi ka kaluar tetë vjet në këtë qytet, ai thotë se lidhja e tij me qytetin është rritur vazhdimisht që nga dita e tij e parë atje.

Pas tërmeteve të 6 shkurtit, qeveria e Azerbajxhanit filloi një proces evakuimi për shtetasit e saj nga qyteti. Gurbanli dhe dhjetëra të tjerë hipën në autobusë për në kryeqytetin Ankara, ku do të niseshin për në Azerbajxhan.

“Kur arritëm në Ankara, diçka më tërhoqi prapa, sikur më thoshte ‘nuk mund të shkosh, duhet të qëndrosh këtu’. Dhe këto ndjenja të tërheqjes kanë dy arsye. Së pari, ne jemi dy shtete të ndryshme, por një komb. Türkiye është kështjella e fundit e turqizmit. Ne duhet të bashkohemi në çdo dhimbje dhe të luftojmë së bashku”, tha Gurbanli, duke shtuar se arsyeja e dytë ishte se ai kishte jetuar në Kahramanmaraş për tetë vitet e fundit.

“Shumicën e arritjeve të mia ia kam borxh këtij qyteti dhe njerëzve të tij, kështu që ndjeva se duhej të isha këtu dhe u ktheva nga Ankaraja”, tha Gurbanli.

Ai shprehet se familja e tij ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për të. Gurbanli bëri një selfie në Ankara dhe ia dërgoi foton familjes së tij, duke e mbajtur të fshehtë kthimin e tij në Kahramanmaraş për disa ditë.

– Nga ligjëratat në përgatitjen e ushqimeve për qindra viktima të tërmetit

Duke mos qenë i sigurt se si të ndihmonte popullin e Kahramanmaraş-it, ai fillimisht mendoi të përdorte njohjen e gjuhës angleze dhe të shërbente si përkthyes për ekipet e huaja të kërkim-shpëtimit.

Por, ai gjeti një grup që kërkonte një kuzhinier i cili do të ishte përgjegjës për përgatitjen e vakteve për qindra viktima të tërmetit që qëndronin në tendat e ngritura jashtë kampusit universitar.

Përpara karrierës së tij akademike, Gurbanli kishte një përvojë të gjatë gatimi për masat. Pasi pa një iniciativë ndihme nga grupi i tifozëve “Black Stockings” të klubit të futbollit Fenerbahçe, Gurbanli u tha se ai ishte kuzhinieri që kishin kërkuar. Në një kamion të shndërruar në kuzhinë, ai tani përgatit ushqime për qindra njerëz të prekur nga tërmetet.

– “Nuk mund t’i lija njerëzit që i shoh si familjen time”

Edhe Hemran Emirli ka kaluar shumë vite në Kahramanmaraş. Të gjithë arsimin e lartë e kreu në Universiteti “Sütçü Imam” dhe tani është pedagog.

“Thjesht nuk ndihesha mirë që po largohesha nga vendi që u kujdes për mua”, tha Emirli teksa po bëhej gati të shpërndante vaktin e darkës për ata që ishin rreshtuar jashtë kamionit.

Emirli dhe Gurbanli janë në mesin e 15 studentëve dhe pedagogëve nga Azerbajxhani që po ndihmojnë viktimat e tërmetit në mënyra të ndryshme. Teksa disa po shpërndajnë ndihma në qendër, të tjerë po ofrojnë ushqime të ngrohta për ata që janë në tenda.

– Azerbajxhani dërgoi 745 personel të kërkim-shpëtimit dhe personel mjekësor

Azerbajxhani ka ndërtuar spitalin e parë nga gjithsej dy spitalet fushore në rajonin e Kahramanmaraş-it.

“Spitali ynë ka katër departamente. Pas pranimit dhe ekzaminimit fillestar, pacienti dërgohet në departamentin përkatës”, tha për Anadolu Gurban Eyvazov, kreu i objektit me 10 shtretër.

Ai tha se spitali ka një laborator si dhe një departament të anestezisë lokale dhe kirurgjisë. Azerbajxhani gjithashtu do të ndërtojë një spital tjetër i cili do të ketë departamente të veçanta për ortopedinë, pediatrinë dhe kirurgjinë e përgjithshme.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, të paktën 745 personel të kërkim-shpëtimit dhe personel mjekësor kanë punuar në Kahramanmaraş që nga 6 shkurti.

Sipas Ministrisë së Situatave Emergjente të Azerbajxhanit, stafi i emergjencës në vendit deri më tani ka shpëtuar 53 persona nga rrënojat si dhe ka nxjerrë pothuajse 700 kufoma.

Kategoritë
BotaLajme