Abdullah Hicazi në deklaratën e tij për AA tha se është larguar nga shtëpia ku jetonte për të mbrojtur familjen e tij nga sulmet izraelite, por që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë sulmeve.
Abdullah Hicazi, i cili humbi të gjithë anëtarët e familjes së tij, përveç djalit të tij 5-vjeçar në sulmin e Izraelit në Liban tha se “Izraeli duhet të luftojë me ushtarë, ai nuk duhet të përdorë fuqinë kundër civilëve të pambrojtur”, raporton Anadolu.
Ushtria izraelite nisi sulmet ajrore intensive në rajonet jugore dhe lindore të Libanit më 23 shtator, pas gati një viti përleshje të kontrolluara me Hezbollahun.
Sipas autoriteteve libaneze, 748 persona humbën jetën në sulmet ajrore të intensifikuara, ndërsa rreth 150 mijë njerëz u zhvendosën brenda vendit për shkak të bombardimeve.
Në njërin nga qindra sulmet ajrore të kryera nga avionët luftarakë izraelitë në Liban të hënën më 23 shtator, u bombardua edhe shtëpia e familjes Hicazi në qytetin Ansar në jug të vendit.
Si pasojë e sulmit ajror humbën jetën 9 persona, ndërsa 5-vjeçari Haydar Hicazi u nxor i plagosur nga shtëpia e cila u kthye në rrënojë.
Hicazi i cili u shpëtua si rezultat i përpjekjeve disa orëshe të kërkimit dhe shpëtimit të ekipeve të Mbrojtjes Civile libaneze, po merr trajtim në spitalin “Labib” në qytetin jugor Saida.
Fëmija 5-vjeçar i cili ka marrë plagë të rënda në fytyrë dhe ende nuk është në vetëdije të plotë, nuk ka mundur të lëvizë që nga e hëna kur u nxor nga nën rrënojat.
Babai libanez në deklaratën e tij për gazetarin e AA-së tha se është larguar nga shtëpia ku jetonte për të mbrojtur familjen e tij nga sulmet izraelite, por që nuk kanë mundur t’i shpëtojnë sulmeve.
– “Izraeli duhet të përleshet me ushtarët”
Abdullah Hicazi tha se nuk është larguar nga djali i tij i cili ka mundur të shpëtojë nga shtëpia që u bombardua nga Izraeli.
Duke thënë se ata janë detyruar të migrojnë nga rajoni në jug të Libanit afër kufirit izraelit, Hicazi tha se ndërtesa 3-katëshe ku ai jetonte me familjen e tij në qytetin Ansar u shënjestrua nga sulmi ajror izraelit.
“Ndërtesa ku unë jetoja me familjen time u ekspozua ndaj një sulmi ajror izraelit. Unë isha jashtë në atë kohë. Nga sulmi humbën jetën 9 persona në shtëpi dhe djali im u nxor nga rrënojat me ndihmën e ekipeve të Mbrojtjes Civile”, tha babai Hicazi.
Babai i pikëlluar Hicazi i cili nuk mund t’i mbante lotët, tërhoqi vëmendjen me përpjekjet e tij për të shpëtuar familjen e tij nga sulmet izraelite.
“Ne erdhëm në qytetin Ansar. Unë ika për të shpëtuar veten dhe familjen time nga bombardimet ajrore, por Izraeli i ndoqi ata derisa i vrau. Izraeli duhet të përleshet me ushtarët, jo të përdorë fuqinë kundër civilëve. Ky fëmijë është vetëm 5 vjeç, a nuk është turp?”, u shpreh ai.
Më tej Hicazi bëri të ditur se fëmijës ende nuk i ka ardhur vetëdija dhe se në trupin e djalit të tij ka shumë fraktura dhe mavijosje.
– Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban kanë humbur jetën 748 persona
Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori vazhdon konfliktet e kontrolluara me Hazbollahun, më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Sipas autoriteteve libaneze, 748 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore në rritje, ndërsa rreth 150 mijë persona janë zhvendosur brenda vendit për shkak të bombardimeve.
Ndërkohë Hezbollahu i përgjigjet me sulme raketore, bombardimeve intensive të vazhdueshme nga ushtria izraelite kundër rajoneve jugore dhe lindore të vendit.
Ndërkohë nuk janë raportuar dëme të mëdha në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite.
Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, thuhet se ka edhe persona që migrojnë drejt Sirisë.