Bajrami-Kurtit: Dasmat bëjini në institucione, krejt familjarët aty i keni

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e ka kritikuar Qeverinë. Ajo ka thënë se në dy vjet qeverisje nuk është bërë asgjë në Kosovë.

Bajrami ka theksuar se s’ka projekte, investime, transparencë. Ka thënë se premtimet që i ka dhënë kryeministri Albin Kurti, në qeverisje nuk i ka përmbushur, ndërsa se institucionet janë mbushur me familjarë.

“Asnjë punë, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë rrugë, asnjë shkollë, zero transparencë, institucione vakante jofunksionale, ky është bilanci i qeverisë Kurti. Keni ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Krejt politika juaj ekonomike është reduktuar në lëmoshë. Për transparencë të mos flasim, dy vite qeverisje asnjë listë e publikuar”. Kurti në opozitë ka premtuar se nuk do të paguaj energji elektrike për serbët e veriut por për dy vite ka paguar plot 98 milionë euro. Çka ndodhi ku mbeten premtime ku mbetën ndryshimet? Ku është banka zhvillimore e fondi sovran? Kemi rënie të prodhimit vendor dhe rënie të konsumit. Është rritur tatimi në pronë, punësim ka në Gjermani por në Kosovë nuk ka. Krejt çka keni bërë në drejtësi i shohim me rastin e Martin Berishajt. Kryeministri thoshte se familjarët janë për dasma, sot dasmat lirisht mund t’i bëni në institucione se krejt familjarët i keni aty. Besoj që duhet të ju vij turp për votat që i keni marrë, për këto dy vjet nuk e keni pasur asnjë pengesë të vetme për realizimin e programit tuaj qeverisës”, ka thënë ajo në debatin që po zhvillohet në Kuvend për punën dyvjeçare të Qeverisë.

Kategoritë
LajmeVendi