“Ballkani i Hapur”, Kovaçevski: Hapim kapituj të rinj në fushën e kulturës dhe turizmit

Kryeministri shqiptar Rama u shpreh se do të dëshironte të ishin liderët e gjashtë vendeve, por shtoi se “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet dhe nuk do të mbyllet

Liderët që ishin të pranishëm në samitin e iniciativës “Ballkani i Hapur” që u mbajt sot në Ohër mbajtën një konferencë përmbyllëse për media, ku treguan të arriturat e deritanishme dhe planet për të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë për media të pranishëm ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij e konsideroi samitin si produktiv dhe tha se do të sjell një kthesë të re pozitive për rajonin.

“Sot këtu në Ohër po hapim kapituj të rinj të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit. Sa më shpejt qytetarët tanë nga Ballkani i Hapur të ndiejnë përfitime të reja ekonomike dhe të tjera. Mund të jetë një pushim i këndshëm në Sarandë, Ohër apo Kopaonik. Me kushte të favorshme, me çmime të rregulluara”, u shpreh Kovaçevski.

Ai gjithashtu tha se vendet pjesëmarrëse në iniciativë janë dakorduar të bashkëpunojnë në ballafaqimin me krizën ekonomike dhe mungesën e ushqimit dhe energjisë.

Ai gjithashtu tha se ky samit është një kthesë pasi në të marrin pjesë përfaqësues nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, ndonëse këto vende akoma nuk janë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi se bisedimet mes liderëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Ne veçmë javën e ardhshme do të kemi videokonferencë, të vazhdojmë bisedimet tona, përgatitjet tona, që ekspertët tanë të bashkohen në gjetjen e zgjidhjeve më të mira dhe dalje nga kriza e cila i kanoset të gjithë Evropës dhe botës në 6 muaj deri një vitin e ardhshëm”, tha Vuçiç.

Ai u shpreh i kënaqur që kanë diskutuar gjetjen e zgjidhjeve për të përmirësuar jetën e banorëve, duke shtuar se rezultatet nuk do të jenë të dukshme menjëherë.

Vuçiq përsëriti se vendet pjesëmarrëse në iniciativën “Ballkani i Hapur” pothuajse nuk kanë probleme dypalëshe, madje kanë arritur të zgjidhin edhe çështjet që kanë qenë të hapura për shumë dekada.

Ai gjithashtu falënderoi kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se pa lidershipin e Ramës, “Ballkani i Hapur” nuk do të mund të mbijetonte.

Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë fjalimit të tij u shpreh i lumtur që në samit janë të pranishëm liderët e pesë nga gjithsej gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Rama u shpreh se do të dëshironte të ishin liderët e gjashtë vendeve, por shtoi se “Ballkani i Hapur” nuk do të ndalet dhe nuk do të mbyllet.

“Ballkani i Hapur lindi si një ide e tre njerëzve. Sot nuk është më ideja e tre njerëzve dhe nuk është më një punë e tre njerëzve. Sot Ballkani i Hapur është i të gjithë njerëzve dhe do të jetë gjithmonë e më shumë i gjithnjë e më shumë njerëzve”, u shpreh Rama.

Ai tha se bashkëpunimi është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm për shkak të përkeqësimit të krizës ushqimore dhe energjetike.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Zoran Tegeltija, u shpreh i bindur se vendi duhet të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, duke shtuar se shpreson që në Bosnjë e Hercegovinë do të arrihet konsensus politik për pjesëmarrje në këtë iniciativë.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh se ka marrë pjesë në disa mbledhje që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, por theksoi se kjo mbledhje është përfundimisht një fytyrë e re për rajonin, duke shtuar se të gjitha temat që u trajtuan, kanë të bëjnë ekskluzivisht me standardin jetësor të banorëve të rajonit.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a është Rusia e përfshirë në iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili tha se Rusia mbështet këtë iniciativë, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq thanë se kjo iniciativë është ekskluzivisht dhe e përbashkët e liderëve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia.

Kategoritë
LajmeRajoni