Banka Botërore alarmon për rritjen e shpenzimeve nga Qeveria në kohë zgjedhjesh, e sheh si rrezik

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor  që nxori Banka Botërore ka theksuar rrezikun mbi trysninë për rritjen e shpenzimeve buxhetore në prag të zgjedhjeve në Kosovë.

Po ashtu, raporti vë në pah “pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike” dhe tha se një proces më i përforcuar drejt Bashkimit Europian mund të sjellë rritje.

“Rritja e trysnisë për shpenzimet e lidhur me ciklin e ardhshëm zgjedhor paraqet një rrezik. Pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike, duke përfshirë atë të lidhur me kontekstin e brendshëm politik, sjell gjithashtu rrezik. Një proces i përforcuar i anëtarësimit në BE mund të përmirësojë perspektivat e rritjes”, thuhet në raport.

Raporti tha se rritja ka qenë e anuar drejt qendrave urbane, duke çuar në rritje të pabarazisë.

“Një dimension tjetër i rëndësishëm është perceptimi ndaj ‘shokut’ dhe pasojat e tyre të mirëqenies. Në vitin 2022, rritjet e çmimeve arritën nivele që nuk ishin parë në dekada dhe rritjet e çmimit të energjisë shkaktuan shqetësime për grupet më të ndjeshme”.

“Në mënyrë të ngjashme, tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet e mëvonshme të zinxhirit të furnizimit kanë rritur shqetësimet në lidhje me efektet e tyre tek ata në skajin e ultë të shpërndarjes ekonomike. Deficiti fiskal pritet të rritet deri në 1.1 për qind të GDP-së në vitin 2024 dhe të mbetet në përputhje me rregullat fiskale në periudhën afatmesme”./Express/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi