“Banka Qendrore e Kosovës arriti t’i përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga COVID-19 dhe lufta në Ukrainë”

Guvernatori Mehmeti në një konferencë për media në të cilën foli për të arriturat e BQK-së në 5 vjetët e fundit, tha se sistemi financiar në vend ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) arriti të përballojë me sukses krizat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe tani edhe nga agresioni rus në Ukrainë, thotë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, raporton Anadolu.

Guvernatori Mehmeti në një konferencë për media në të cilën foli për të arriturat e BQK-së në 5 vjetët e fundit, tha se sistemi financiar në vend ka pasur sukses dhe rritje të vazhdueshme.

“Vetëm vitin 2022, sipas informatave të paaudituara që kemi rezultati financiar pozitiv i BQK-së është rreth 8 milionë euro. Rezultati financiar pozitiv i BQK-së ka mundësuar dhe ka krijuar stabilitet financiar duke ofruar siguri edhe për qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të institurionit të BQK-së”, theksoi Mehmeti.

Tutje, Mehmeti tha se në vitin 2018 në Kosovë ishin 10 banka, ndërsa këtij numri i janë shtuar edhe dy të tjera të cilat operojnë aktualisht.

“Sektori bankar gjatë periudhës 2018-2022 ka arritur të ketë rritje të aseteve për 2.6 miliardë euro apo me një rritje prej 61.6 për qind”, theksoi Mehmeti.

Tutje, Mehmeti tha se përkundër situatës së krijuar nga kushtet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare BQK ka arritur të ruajë qëndrueshmërinë e saj financiare dhe performancën e mirë të institucionit.

Më 26 mars të vitit 2018, Fehmi Mehmeti është emëruar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ndërsa ende nuk dihet se kush do të vije në këtë pozitë pas përfundimit të mandatit nga Mehmeti.

Kategoritë
LajmeVendi