Gjashtë javë pas nisjes së grevës së punonjësve të pastrimit, koshat janë të mbushur përplot dhe mbeturinat janë të shpërndara nëpër trotuare – pavarësisht pretendimeve të komunës se gjatë fundjavës së Pashkëve janë larguar mbi 20.000 tonë mbeturina.
“Në të kaluarën çdo fqinj pastronte pragun e shtëpisë,” tha Rashid Campbell, i rrethuar nga njerëz që po mblidhnin mbeturina përgjatë rrugëve në Birmingham.
“Nëse do ta rikthenim atë mentalitet, gjysma e këtij problemi do të zhdukej,” shtoi ai.
Rashid Campbell është pjesë e një ekipi vullnetarësh që gjatë Pashkëve mblodhi mbeturina në Birmingham. Vetëm në dy orë, 12 anëtarë të ekipit mblodhën 24 thasë mbeturinash.
“Nëse nuk i mbledhim vetë, do të mbytemi në to,” paralajmëroi ai.
Sipas Sky News, koshat nëpër qytet vazhdojnë të jenë të stërmbushur dhe rrugët të përmbytura me mbeturina.
“I zbrazën koshat, por rrugët janë ende të mbushura me mbeturina. Është e neveritshme të shohësh këtë ndotje,” u shpreh një banor i Birminghamit.
Punëtorët e pastrimit, që zakonisht zbrazin koshat, kanë hyrë në grevë pas njoftimeve për ulje pagash. Mbi 300 punëtorë janë në grevë, ndërsa më shumë se 100 të tjerë vazhdojnë të punojnë, raportoi Sky News.
Problemi me mbeturinat nuk është i njëjtë në të gjitha pjesët e qytetit dhe u përshkallëzua në fillim të prillit.
Sipas BBC, më 19 prill, rrugët e Balsall Heath ishin aq të mbushura me mbeturina sa ishte e vështirë të ecje, ndërsa vetëm disa kilometra më tutje, në lagjen e pasur Harborne, situata ishte krejtësisht e qetë.