Bashkëshortet e futbollistëve të Mallorcës, Cristina Palavra dhe Natalia Kaluzova, u ngacmuan nga një grup burrash në Arabinë Saudite pas gjysmëfinales së Superkupës kundër Real Madridit.
Cristina, bashkëshortja e Dani Rodriguez-it, dënoi ngacmimin që ajo dhe një pjesë e tifozëve të Mallorcës përjetuan pas përfundimit të gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës në tribunat e stadiumit King Abdullah Sports City në Jeddah.
“Shkuarja në stadium ishte e komplikuar, shkuam me fëmijët dhe pa asnjë mbrojtje. Fëmijë nga Arabia Saudite filluan të na fotografojnë nga afër dhe të na ngacmojnë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Natalia Kaluzovën,” shpjegoi Cristina Palavra, duke shtuar se “ndihej e pasigurt sepse nuk kishte askënd që t’i mbronte.”
“Shkuam si grup së bashku, por nuk mund të bënim asgjë tjetër. Arritëm deri te autobusi siç mundëm, duke duruar fyerje në arabisht. Na sulmuan,” shtoi ajo.
Kaluzova, bashkëshortja e portierit të Mallorcës, Dominik Greif, në një intervistë për Marcan tregoi si ndodhi gjithçka pas ndeshjes.
“Pas ndeshjes, planifikuam të ktheheshim në hotel në një grup të madh, dhe ndërsa po prisnim autobusin, ndodhën skena të shëmtuara. Një grup njerëzish na u afruan dhe na filmuan. Na shtynin, na fyenin në arabisht dhe na fotografonin pa leje. Gratë përjetuan prekje dhe fotografim pa pëlqimin e tyre,” zbuloi ajo.
Përveç tyre, reagoi edhe një tifoz i klubit spanjoll që udhëtoi në Arabinë Saudite dhe përshkroi atë që përjetuan atje.
“Ishim shumë pak, nuk u kujdesën për ne. Na përzien me tifozët vendas dhe gjatë gjithë ndeshjes na provokuan dhe na tallnin. Ishte shumë e pakëndshme, dhe më e keqja nga të gjitha ishte se, gjatë rrugës për te autobusi, qindra njerëz na fyenin dhe na filmonin pa pëlqimin tonë,” tha ai.