Bashkësia Islame në BiH: I bëjmë thirrje aktorëve politikë të sigurojnë paqen dhe stabilitetin

Reisul-ulema i Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH), Husein ef. Kavazović, u takua sot me myftinjtë nga BiH dhe anëtarët e Rijasetit. Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendës reisul-ulemaja, Enes ef. Ljevaković, si dhe kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame, Edhem Biçakçiç.

Myftinjtë e informuan reisul-ulemanë për situatën aktuale në rajonet e tyre, e cila është përkeqësuar për shkak të rritjes së tensioneve dhe paralajmërimeve për rrënimin e institucioneve shtetërore, madje edhe për ndarjen e hapur të një pjese të BiH-së.

Ata theksuan se ekziston një shqetësim i dukshëm mes imamëve, anëtarëve dhe besimtarëve të Bashkësisë Islame, por situata mbetet e qetë.

Deklarata e Bashkësisë Islame në BiH

“Bëjmë thirrje përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë të jetës politike në BiH që të sigurojnë paqen dhe stabilitetin dhe të mos lejojnë që dikush të qëndrojë mbi ligjin ose institucionet shtetërore. Ligjet e këtij shteti, Kushtetuta e tij, si dhe roli i përfaqësuesit të lartë si pjesë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, duhet të respektohen. U bëjmë thirrje anëtarëve të Bashkësisë Islame për vigjilencë dhe kujdes. Presim që besimtarët e Bashkësisë Islame në BiH të ndjekin situatën dhe të mos bien pre e provokimeve,” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, theksohet se të gjithë imamët së bashku me xhematet e tyre, si dhe të gjitha organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame, do të jenë në kontakt dhe konsultime të vazhdueshme në periudhën e ardhshme.

“Bashkësia Islame është e bindur se në këtë vend ka mjaft institucione dhe individë përgjegjës që do të sigurojnë paqen dhe prosperitetin e të gjithë popujve dhe qytetarëve të BiH-së. Bashkësia Islame në BiH mbetet e përkushtuar për të kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Organet dhe institucionet e Bashkësisë Islame në BiH do të vazhdojnë aktivitetet e planifikuara të Ramazanit në të gjithë territorin e BiH-së,” përfundon deklarata.

Kategoritë
LajmeRajoni