Fetahu tha se kjo vizitë e kreut të komunitetit islam të BeH-së ka rëndësi të madhe për bashkësinë islame në Maqedoninë e Veriut dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy bashkësive vëllazërore.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), Shaqir Fetahu ka pritur në takim në Shkup kryetarin e Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Husein Kavazoviq, i cili po qëndron për vizitë në vend, raporton Anadolu.
Krerët e bashkësive islame të dy vendeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi midis dy institucioneve fetare të dy vendeve, i cili parasheh thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella në fushën e iluminizmit fetar, arsimit, vakëfeve dhe ruajtjes së identitetit fetar të muslimanëve në të dyja vendet.
Fetahu tha se kjo vizitë e kreut të bashkësisë islame të BeH-së ka rëndësi të madhe për bashkësinë islame në Maqedoninë e Veriut dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy bashkësive vëllazërore.
“Vizita e Reis ul-ulema dr. Husein ef. Kavazoviqit është historike për BFI-në dhe është shumë e rëndësishme dhe vendimtare për harmoninë mes dy bashkësive fetare. Shumë e rëndësishme edhe në kuptimin që sot nënshkruam një memorandum bashkëpunimi midis dy bashkësive fetare”, tha Fetahu.
Kreu i BFI-së tha se bashkëpunimi do të mbulojë fusha të ndryshme, nga shpjegimi i fesë islame deri tek lidhja e institucioneve shkencore dhe fetare, përfshirë fakultetet islame, shkollat e mesme, medresetë, bibliotekat, zonat e vakëfit dhe ngritjen e vetëdijes tek besimtarët.
Kavazoviq, nga ana e tij, shprehu mirënjohje të madhe për mikpritjen.
“Është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që në emër të muslimanëve në Bosnjë e Hercegovinë mund të përcjell përshëndetje për vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut dhe komunitetin tonë vëllazëror, të udhëhequr nga Reis ef. Shaqir”, tha Kavazoviq.
Ai theksoi se bashkësitë fetare të dy vendeve ndajnë një histori si dhe vlera dhe qëllime të përbashkëta.
Kavazoviq në fjalën e tij theksoi se pavarësisht rregullimeve të ndryshme kushtetuese të dy bashkësive fetare, nevoja për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke është edhe më e madhe në shoqëritë multietnike dhe multifetare si Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ai po ashtu shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen e barabartë të komuniteteve boshnjake me komunitetet e tjera në Maqedoninë e Veriut në kuadër të BFI-së.
Në fund, Kavazoviq u uroi gjitha të mirat “vëllezërve” të tij në Maqedoninë e Veriut, përfshirë të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke shprehur dëshirën për bashkëjetesë paqësore dhe avancimin e dy vendeve në unitetin e tyre.
Si gjest respekti dhe partneriteti reciprok, Kavazoviq i bëri ftesë zyrtare kreut të BFI-së për një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë.