Komisionerja evropiane për Lindjen e Mesme, Dubravka Shuica, deklaroi në një intervistë për Reuters se Bashkimi Evropian do ta rrisë mbështetjen financiare për Palestinën me një paketë trevjeçare në vlerë prej 1.6 miliardë eurosh.
Shuica tha se kjo ndihmë financiare do të shkojë paralelisht me reformat në Autoritetin Palestinez, të cilin kritikët e akuzojnë për “korrupsion dhe keqmenaxhim”.
“Duam që ata të reformohen vetë, sepse pa reforma nuk do të jenë mjaftueshëm të fortë dhe të besueshëm për të qenë palë negociuese – jo vetëm për ne, por edhe për Izraelin”, tha Shuica, përpara “dialogut të parë politik në nivel të lartë” mes ministrave të jashtëm të BE-së dhe zyrtarëve të lartë palestinezë, përfshirë kryeministrin Mohammad Mustafa, të hënën në Luksemburg.
BE-ja është donatori më i madh për palestinezët dhe shpreson që autoritetet palestineze, të cilat aktualisht qeverisin Bregun Perëndimor, “të mund të marrin një ditë përgjegjësinë për Gazën pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit”, sipas zyrtarëve evropianë.
Qeveria izraelite e kryeministrit Benjamin Netanyahu deri tani ka refuzuar idenë që Gaza t’i dorëzohet Autoritetit Palestinez, si dhe qëllimin më të gjerë të BE-së për një zgjidhje me dy shtete, që përfshin themelimin e një shteti palestinez.
Shuica shtoi se 620 milionë euro do të ndahen për mbështetje financiare dhe reforma të Autoritetit Palestinez, 576 milionë euro për “qëndrueshmëri dhe rimëkëmbje” në Bregun Perëndimor dhe Gaza, ndërsa 400 milionë euro do të jepen në formë kredish nga Banka Evropiane e Investimeve, me miratimin e bordit të saj.
Ajo theksoi se mbështetja mesatare vjetore e BE-së për Autoritetin Palestinez gjatë 12 viteve të fundit ka qenë rreth 400 milionë euro.
“Tani po investojmë në mënyrë të besueshme në institucionet palestineze,” tha Shuica./Gazetaere