“Basketbollistja amerikane Brittney Griner do të dërgohet në një koloni burgu në Rusi”

Dënimi me 9 vite burg nga gjykata ruse ndaj basketbollistes amerikane, Brittney Griner u konfirmua më 25 tetor.

Ylli amerikan i basketbollit për femra, Brittney Griner është në proces të transferimit nga burgu ku po mbahej në një koloni burgu në Rusi, njoftuan sot avokatët e saj.

“Ne nuk kemi asnjë informacion mbi vendndodhjen e saktë të tanishme apo destinacionin e saj përfundimtar”, deklaruan avokatët e saj Maria Blagovolina dhe Alexander Boykov.

Dy avokatët treguan gjithashtu se ata si dhe Ambasada e SHBA-së në Moskë duhet të njoftohen me mbërritjen e saj në vendin ku do të dërgohet, gjë që zakonisht zgjat “deri në dy javë”.

Gjykata e Rajonit të Moskës më 25 tetor la në fuqi dënimin prej 9 vitesh burg për Griner, ankesa e së cilës u refuzua.

Griner u arrestua në shkurt në aeroportin “Sheremetyevo” të Moskës me dyshimin se në bagazhin e saj u gjet vaj hashashi.

Ajo u shpall fajtore në korrik nën akuzat për drogë, por ajo ka pranuar se ka përdorur kanabis medicinal për të trajtuar dhimbjen duke mohuar se ka pasur qëllim të shkel ligjin rus.

Në gusht, Gjykata e qytetit Khimki të Moskës e dënoi Grinerin me 9 vite burg dhe një gjobë prej 1 milion rubla (15.500 dollarë).

Duke e quajtur dënimin “të papranueshëm”, presidenti i SHBA-së, Joe Biden kërkoi nga Rusia “lirimin e menjëhershëm të saj në mënyrë që të mund të jetë me gruan e saj, të dashurit, miqtë dhe shokët e skuadrës”.

Griner është lojtare e Phoenix Mercury në WNBA që nga viti 2014. Ajo ka luajtur për BC UMMC Ekaterinburg në Premier Ligën Ruse të Basketbollit për Femra.

Kategoritë
BotaLajme