Bayern Munich ka shënuar fitore me rezultat 3-2 në shtëpi ndaj Wolfsburgut në kuadër të javës së 18-të në elitën e futbollit gjerman.
Vendasit rrezikuan qysh në minutën e tretë përmes Leroy Sanes i cili befasoi portierin me një gjuajtje të fortë e cila u ndal nga traversa.
Bavarezët ia dolën të kalojnë në avantazh në minutën e 20-të kur Joshua Kimmich asistoi tek Leon Goretzka i cili shënoi për rezultatin 1-0.
I shpejtë ishte reagimi i mysafirëve të cilët u kthyen sërish në lojë duke barazuar shifrat përmes Mohamed Amoura i cili shënoi për 1-1 pas një topi të humbur brenda zonës.
Bayerni e riktheu epërsinë në minutën e 39-të kur portieri mysafir Kamil Grabara bëri nëj gabim që i lejoi Michael Olise të realizojë për 2-1.
Në pjesën e dytë të besuarit e Vincent Kompany e gjetën edhe golin e tretë ku sërish autor ishte Goretzka (62’) që realizoi me kokë për 3-1 pasi u asistua nga Olise.
Deri në fund Wolfsburg ia doli të shënojë edhe një herë për 3-2 me anë të Amoura (88’), por nuk ishte e mjaftueshme për ta shmangur humbjen.
Me këtë fitore, Bayerni shkon në kuotën e 45 pikëve, shtatë më shumë se Bayer Leverkuseni në pozitën e dytë që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.