BE fton Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjen e targave

“Ne i ftuam të dyja palët të vijnë në Bruksel si çështje urgjente për të gjetur një zgjidhje evropiane. Shpresojmë që ai takim të ndodhë shumë shpejt”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Bashkimi Evropian (BE) ka ftuar në Bruksel kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën e targave, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se kriza aktuale mes Serbisë dhe Kosovës është situata më e vështirë që nga viti 2013.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë rritur pasi serbët etnikë në Kosovë u tërhoqën nga të gjitha institucionet qendrore dhe lokale në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zëvendësuar targat e vjetra të makinave të lëshuara nga autoritetet serbe, me ato nga Kosova.

“Mund të theksoj vetëm se angazhimi i BE-së si lehtësues i dialogut është i vazhdueshëm dhe ne presim sjellje evropiane që të çojnë në një zgjidhje evropiane. Ne i ftuam të dyja palët të vijnë në Bruksel si çështje urgjente për të gjetur një zgjidhje evropiane. Shpresojmë që ai takim të ndodhë shumë shpejt”, tha Stano.

Sipas mediave lokale serbe, takimi do të zhvillohet të dielën ose të hënën në mëngjes.

Të hënën duhet të fillojë faza e dytë e vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave, fazë në të cilën pronarët e veturave me targa serbe do të gjobiten me 150 euro.

Autoritetet kosovare paralajmëruan se do të fillojnë të shqiptojë gjoba këtë muaj për shoferët që përdorin targa të vjetra të para-pavarësisë dhe do të konfiskojnë automjetet me këto targa pas 21 prillit 2023.

BE dhe NATO u kanë kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut.

Brukseli ka lehtësuar dialogun midis dy vendeve për të ulur tensionet dhe për të zgjidhur çështjet dypalëshe, një nga kërkesat për anëtarësimin e plotë në BE.

Kategoritë
BotaLajmeVendi