“Deklarata të tilla minojnë ligjin ndërkombëtar, shkelin të drejtat e palestinezëve dhe kërcënojnë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Borrell
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Financave të ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich se viti 2025 do të jetë “viti i aneksimit” të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Nga llogaria e tij në X, Borrell bëri një postim lidhur me deklaratën e Smotrichit se viti 2025 do të jetë “viti i aneksimit” të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Duke thënë se e “dënon pa mëdyshje” deklaratën e ministrit izraelit, Borrell tha: “Deklarata të tilla minojnë ligjin ndërkombëtar, shkelin të drejtat e palestinezëve dhe kërcënojnë mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete”.
Dje, në mbledhjen e grupit të Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë që ai drejton, Smotrich pretendon se është koha që Izraeli të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe se viti 2025 do të ishte “viti i aneksimit” të Bregut Perëndimor.