BE-ja do të miratojë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Sirisë

Faza fillestare e lehtësimit të sanksioneve pritet të fokusohet në sektorët kritikë për rindërtimin, duke përfshirë transportin, energjinë dhe transaksionet financiare, tha një burim diplomatik

Bashkimi Evropian (BE) do të miratojë pezullimin gradual të sanksioneve të caktuara sektoriale kundër Sirisë javën e ardhshme për të lehtësuar rindërtimin e vendit pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, thanë sot burime diplomatike, transmeton Anadolu.

Vendimi pritet të zyrtarizohet të hënën nga Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së, i cili do të mblidhet në Bruksel, konfirmuan burime diplomatike, njoftoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE.

Blloku më parë arriti një marrëveshje politike për këtë çështje, por takimi i së hënës do të shënojë zbatimin e saj.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas tha se sanksionet do të lehtësohen hap pas hapi, me mundësinë e rivendosjes nëse autoritetet e reja të Sirisë nuk arrijnë të përmbushin pritshmëritë e BE-së.

Blloku po kërkon veçanërisht garanci për përfshirje dhe respekt për të drejtat e njeriut nga qeveria e re.

Faza fillestare e lehtësimit të sanksioneve pritet të fokusohet në sektorët kritikë për rindërtimin, duke përfshirë transportin, energjinë dhe transaksionet financiare, tha një burim diplomatik.

Në veçanti, transporti ajror parashikohet të përfitojë nga heqja e kufizimeve.

Megjithatë, BE-ja do të ruajë embargon e armëve ndaj Sirisë, pasi ajo nuk ishte përfshirë në marrëveshjen politike midis shteteve anëtare.

BE-ja fillimisht vendosi sanksione ndaj Sirisë në përgjigje të shtypjes së regjimit të Asadit ndaj kryengritjeve të vitit 2011, të cilat u përshkallëzuan në një konflikt të zgjatur civil.

Blloku aktualisht zbaton masa kufizuese kundër 318 individëve dhe 86 subjekteve, duke përfshirë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit. Po ashtu, sanksionet sektoriale mbeten në fuqi në industri të ndryshme.

Kategoritë
BotaLajme