BE-ja e kënaqur me armëpushimin në Gaza

Në deklaratën e bërë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, thuhet se armëpushimi do t’i japë fund dhunës në Gaza dhe rreth saj

Bashkimi Evropian (BE) përshëndeti armëpushimin e arritur midis Izraelit dhe Lëvizjes Xhihadi Islamik në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, thuhet se armëpushimi do t’i japë fund dhunës në Gaza dhe rreth saj.

Duke shprehur vlerësimin për rolin lehtësues të Egjiptit në armëpushimin, në deklaratë u bë thirrje për një hetim gjithëpërfshirës për vdekjet e civilëve.

Në deklaratë u theksua rëndësia e rihapjes së vendkalimeve për ofrimin e ndihmës humanitare dhe se duhet bërë përpjekje konkrete që situata në Gaza të jetë e qëndrueshme.

Të premten, Izraeli nisi një sulm ndaj objektivave që pretendonte se i përkisnin Lëvizjes Xhihadi Islamik në Gaza, me arsyetimin se po përgatitej të sulmonte. Pas sulmit izraelit, një seri raketash u hodhën nga Gaza në drejtim të Izraelit. Si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës humbën jetën 44 persona, mes të cilëve 14 fëmijë dhe 4 gra. Ndërkaq, nga ana izraelite nuk pati viktima.

Armëpushimi, i cili u arrit mes palëve me ndërmjetësimin e Egjiptit, ka hyrë në fuqi mbrëmë.

Kategoritë
BotaLajme