BE-ja financon një projekt të çminimit në Kosovë në vlerë prej 3.9 milionë euro

Operacionet do të kryhen në zona si Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë, Belincë, Rastavicë dhe Kosharë

Me një manifestim të organizuar në Komunën e Graçanicës është shënuar fillimi i projektit të çminimit në vlerë prej 3.9 milionë euro i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, partnerët zbatues të këtij projekti janë “HALO Trust” dhe Ndihma Popullore Norvegjeze (NPA). NPA do ta udhëheq këtë projekt dhe do të merret me pastrimin e bombave kasetore dhe mjeteve të tjera shpërthyese nga zonat e kontaminuara.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se edhe pse është arritur progres i konsiderueshëm në aktivitetet e pastrimit të minave, ato vazhdojnë të jenë një kërcënim për banorët dhe jetesën, duke penguar qasjen, pajtimin dhe zhvillimin në Kosovë.

“Suksesi i këtij projekti jo vetëm që do të kontribuoj në një Kosovë të pastruar nga minat, por gjithashtu do të hapë rrugën për zhvillim socio-ekonomik në zonat e kontaminuara më parë”, theksoi Szunyog.

Që nga viti 1999, financimi për këto aktivitete jetike drejtohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze. Gjatë dy dekadave të fundit, puna humanitare e HALO Trust dhe NPA në Kosovë është mbështetur edhe nga qeveria e Japonisë, Zvicrës, Belgjikës dhe Holandës.

Tamra Gregg, ushtruese e detyrës së shefit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, tha se “jemi të përkushtuar për një Kosovë pa mina dhe ky program do të na sjellë një hap më afër këtij qëllimi”.

Si pjesë e këtij projekti, do të pastrohen 400 mijë metra katrorë tokë të kontaminuar nga minat, si dhe 3.6 milionë metra katrorë tokë të kontaminuar nga municionet kasetore, me qëllimin përfundimtar për t’i ofruar komuniteteve lokale qasje të sigurt në ato zona.

Hilde Berit Eide, zëvendëskryetare e Misionit të Ambasadës Norvegjeze në Kosovë, tha se Norvegjia nga vitet e 90-ta është mbështetëse e aktiviteteve të çminimit në Ballkanin Perëndimor dhe deri më sot ka dhënë ndihmë në vlerë prej më shum¡ se 70 milionë euro.

“Norvegjia është e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen deri sa puna të përfundojë. Prandaj, 2 milionë euro shtesë janë dhënë për një periudhë 5-vjeçare deri në vitin 2025, me qëllim që të pastrohen zonat e kontaminuara me mina, mbetje të municioneve kasetore dhe mbetjeve të mjeteve tjera shpërthyese të luftës, në mënyrë që këto zona t’i rikthehen komuniteteve lokale në Kosovë për përdorim të sigurt dhe në mënyrë produktive”, tha Eide.

Përmes ketij granti, NPA dhe HALO do të pastrojnë një sipërfaqe prej 4 kilometër katrorë të zonës së kontaminuar. Ata do të rrisin kapacitetet e tyre operative me 30 për qind me fondet nga BE-ja për zgjerimin e operacioneve në vëzhgim dhe pastrim. Operacionet do të kryhen në zona si Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë, Belincë Rastavicë dhe Kosharë.

Përveç pjesëmarrësve të delegacioneve nga ambasadat e BE-së, SHBA-së dhe Norvegjisë, prezent ishin edhe drejtori i Bashkëpunimit për Zhvillim nga Zyra e Kryeministrit, Florim Canolli, shefi i Grupit për Menaxhim të Kërcënimeve nga Eksplozivëve pranë KFOR-it, Ciprian Andrica, anëtarë të Ekipit Ndërlidhës për Monitorim pranë KFOR-it, përfaqësues nga komuna e Graçanicës, si dhe përfaqësues nga Qendra e Veprimit për Çminimin në Kosovë (QKD).

Kategoritë
BotaLajmeVendi