BE-ja kërkon që Kina të bindë Moskën të respektojë sovranitetin e Ukrainës

Shefi i Bashkimit Evropian, Chareles Michel, tha se blloku pret që Kina të “përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion” për të shtyrë Moskën që të respektojë ligjin ndërkombëtar.

Këto deklarata të Michel vijnë disa ditë para mbajtjes së samitit të G20-s në Bali, ku pritet që temë qendrore të jetë konflikti në Ukrainë.

Presidenti i Këshillit Evropian i bëri këto komente gjatë margjinave të samitit në Kamboxhia, ku ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u bëri thirrje liderëve të Azisë Juglindore që të mbështesin Kievin.

Përderisa Kina mbetet një partnere e madhe tregtare e BE-së, zyrtarët evropianë vazhdimisht i kanë bërë thirrje Pekinit që publikisht të dënojë veprimet e Rusisë, por deri më tani Kina nuk e ka dënuar pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.

Kina ka refuzuar që të kritikojë Moskën për pushtimin e Ukrainës dhe në vend të kësaj ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për luftën.

“Ne inkurajojmë autoritetet kineze që të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të bindur Rusinë që të respektojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, që të respektojë sovranitetin e Ukrainës”, tha Michel për AFP-në.

Ai theksoi se Pekini “shpesh ka bërë deklarata në mbështetje të koncepteve të ligjit ndërkombëtar, të bashkëpunimit ndërkombëtar”.

Deklaratat e Michel vijnë disa ditë para samitit të G20-s në Bali, ku presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping

Kategoritë
BotaLajme