BE-ja në paralizë politike, siguria në rrugët e Brukselit në pikën më të keqe: Zgjidhja nuk duket në horizont

Një valë e të shtënave dhe vrasjeve në rrugët e Brukselit, kryeqytetit të Belgjikës dhe Bashkimit Evropian, ka tronditur qytetarët, të cilët kërkojnë zgjidhje urgjente nga udhëheqësit politikë. Megjithatë, për shkak të një paralize të thellë politike që zgjat prej nëntë muajsh pas zgjedhjeve, asnjë qeveri nuk është formuar dhe asnjë zgjidhje nuk duket në horizont, shkruan Politico Europe në një analizë të gjatë.

Vetëm në muajin e parë të vitit 2025 janë shënuar 11 të shtëna me armë, me dy persona të vrarë dhe katër të plagosur. Qytetarët janë të zemëruar dhe kërkojnë lidership, por Brukseli, për momentin, nuk ka asnjë të tillë funksional.

Politika e ndërlikuar belge: shumë nivele, asnjë vendimmarrje

Belgjika ka një sistem politik shumë të ndërlikuar, me disa nivele pushteti që ndajnë kompetencat dhe që shpesh hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën. Kur funksionon, sistemi prodhon stabilitet, por kur nuk funksionon – siç është tani në Bruksel – krijon një bllokadë të plotë institucionale.

Nëntë muaj pas zgjedhjeve, Brukseli nuk ka ende një qeveri rajonale. Subvencionet janë ngrirë, projektet për ndërtimin e shtëpive sociale janë pezulluar dhe rrezikohet financimi për punonjësit socialë dhe policinë.

Sipas gazetës lokale Bruzz, Brukseli po shpenzon 4 milionë euro më shumë në muaj sesa të ardhurat që ka, dhe borxhi i qytetit ka arritur në 14 miliardë euro. Pa një qeveri funksionale, “gjakderdhja financiare” nuk mund të ndalet.

Rreziku për Belgjikën: Brukseli mund të ulë kredibilitetin financiar të gjithë shtetit

Për më tepër, borxhi i lartë dhe mungesa e reformave mund të çojnë në uljen e rejtingut kreditor për të gjithë Belgjikën, duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen dhe duke e ekspozuar vendin ndaj shkeljes së rregullave fiskale të BE-së.

Deri më tani, vetëm partia centriste Les Engagés ka dalë me një propozim konkret: të ulet paga e politikanëve në Bruksel me 30% derisa të formohet qeveria, e nëse kjo nuk ndodh deri në qershor, shkalla e uljes të arrijë në 40%.

Përplasjet etnike dhe gjuhësore e bëjnë marrëveshjen gati të pamundur

Një nga pengesat më të mëdha është ndarja etnike dhe gjuhësore. Ndërsa në të gjithë Belgjikën flitet më shumë holandishtja, në Bruksel shumicë janë frankofonët (valonët). Qeveria e Brukselit duhet të përfaqësojë të dyja grupet gjuhësore dhe të ketë shumicë nga të dyja anët për të qenë legjitime.

Pas zgjedhjeve të qershorit, dy nga tre rajonet belge dhe vetë shteti kanë formuar qeveri. Por në rajonin frankofon, socialistët refuzojnë çdo bashkëpunim me partinë nacionaliste flamande N-VA, nga e cila vjen edhe kryeministri belg Bart De Wever. Nga ana tjetër, liberalët e Open VLD refuzojnë të marrin pjesë në një koalicion pa N-VA-në. Kjo ka çuar në një ngërç total dhe në refuzimin e çdo negociate.

Brukseli i ndarë në 19 komuna, 6 njësi qeverisëse: rrënjë e kaosit

Rajoni i Brukselit përbëhet nga 19 komuna dhe gjashtë njësi të ndryshme politike, çka e bën menaxhimin e qytetit thuajse të pamundur. Qeveria federale ka propozuar bashkimin e këtyre njësive në një të vetme për të përmirësuar menaxhimin dhe sigurinë, por udhëheqësit lokalë e kanë refuzuar prerazi këtë ide.

Akuza për “projekt flamand nacionalist”

Frankofonët akuzojnë qeverinë federale – e cila drejtohet nga N-VA – se po përpiqet të centralizojë pushtetin dhe të imponojë një “projekt flamand nacionalist”. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë thonë se thjesht po kërkojnë efikasitet dhe se “nuk duhet të jesh flamand nacionalist për të kuptuar çfarë është funksionale”.

“Opsioni bërthamor”: Brukseli nën administrim të shtetit?

Një nga opsionet që përmenden në qarqet politike është që qeveria federale të marrë nën kontroll rajonin e Brukselit, duke e ndihmuar financiarisht në këmbim të reformave, një model i ngjashëm me atë që BE aplikoi në Greqi gjatë krizës së borxheve.

Megjithatë, për shkak të tensioneve politike dhe refuzimit të thellë ndaj N-VA nga pala frankofone, ky opsion do të ishte tejet i ndjeshëm dhe mund të shkaktonte edhe më shumë ndarje.

Ndërkohë, qytetarët vuajnë

Në mungesë të zgjidhjeve dhe mes përplasjeve të vazhdueshme, qytetarët e Brukselit jetojnë në pasiguri dhe zemërim të thellë, duke parë kryeqytetin evropian të zhytet gjithnjë e më shumë në krizë. /Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme